Presidenti Hashim Thaçi do të intervistohet sot, pasi dje për gjashtë orë dëgjoi, siç tha, “teknikalitetet e ndryshme ndërmjet avokatit dhe prokurorëve”.
Prokurorët e Speciales do t’i parashtrojnë pyetje presidentit të Kosovës lidhur me akuzat e rënda, ndërsa presidenti do të duhet t’u japë përgjigje pyetjeve të tyre.
Gazeta Sinjali mëson nga burime të sigurta se intervistimi i Thaçit do të nis në orën 13:00.
Procesi intervistues i Thaçit në Hagë nisi dje. Ai qëndroi për gjashtë orë brenda selisë së Speciales.
Në dalje, Thaçi pati një prononcim shumë të shkurtër për mediat, ndërsa paralajmëroi vazhdimin e intervistimit sot.
“Sot kam dëgjuar shkëmbimet e teknikaliteteve të ndryshme mes avokatit dhe prokurorëve. Do të vazhdojë nesër”, deklaroi ai.
Në njoftimin për aktakuzë të bërë publike më 24 qershor pretendohet se Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe nëntë të dyshuar të tjerë janë përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.