Ish zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi reagoi pas vendosjes së masave të reja më të ashpra nga Qeveria Hoti, për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit.
Abazi, përmes një postimi në Facebook, tha se kjo Qeveri është nën shërbimin e Presidentit Thaçi, pasi paralajmëroi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e që sipas tij e njëjta ishte kërkuar edhe gjatë muajit mars, në kohën e qeverisë Kurti.
“Qytetarët duhet të marrin masa rigoroze ndaj qeverisë Koti që është e paaftë, jo legjitime, kuislingë dhe servile. “Të pabesit nuk i zihet besë”. Këta janë një grumbull i qyqarëve që me gënjeshtra e kanë rrëzuar qeverinë, me pafytyrësi po bëjnë të kundërtën e asaj çfarë kanë premtuar dhe tani duke tentuar të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme, gjithë qeverinë e kanë kthyer në shërbim të Thaçit. Njëherë servil, gjithmonë servil”, ka shkruar Abazi.