Deputeti i LVV-së njëherit kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi ka reaguar pas deklaratës së politikanes boshnjake, Sabina Çudiq e cila ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur pajtim për shkëmbim territoresh, e cila marrëveshje ishte përkrahur edhe nga Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Abazi në një reagim në Facebook ka fajësuar nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitakun dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti që kanë përkrahur dhe kanë shtyrë ndarjen e Kosovës.
“Ndarjen e Kosovës e kanë shtyer dhe e kanë përkrahur edhe në rolin zyrtar Vlora Çitaku si ambasadore e Kosovës dhe Shpend Ahmeti kryetari i Prishtinës. Këtë e kemi thënë gjatë gjithë kohës, tani me dëshmi për këtë gjë në Twitter nga Sabina Çudiq”, ka shkruar Abazi.
Ai ka thënë se Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë kundër secilit që bën veprime antikushtetuese dhe që janë kundër integritetit territorial.
“E qytetarët pyesnin pse nuk po rregullohet rruga Muharrem Fejza?! As sot nuk është e rregulluar. Ka qenë i zënë me ndarjen dhe propagandën për të krijuar paranoja dhe ndarje mbrenda LVV.
Prokuroria e shtetit duhet të veprojë kundër secilit që bën veprime antikushtetutese dhe që janë kundër integriterit territorial”, ka shkruar Abazi.
Përmes një shkrimi në llogarinë personale në Facebook, Çudiq ka thënë se ish-i dërguari për Ballkanin Perëndimor ka qenë pro shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo përmend edhe kreun e Prishtinës, Shpend Ahmetin, për të cilin thotë se ka qenë prezent. Tutje rrëfen ngjarjen ku thotë se në bisedë e sipër me Palmer, ishte bashkuar edhe Ambasadorja e Kosovës në Washington Vlora Çitaku.
Sipas Çudiq, Çitaku me nervozizëm e kishte pyetur pse ka ndërhyrë në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë.