Shuhet një kampion bote. Jack Charlton, ish-lojtari i Leeds dhe Anglisë, i cili luante si mbrojtës, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare.
Një vit më parë ai zbuloi se kishte një sëmundje të rëndë, ndërkohë që po luftonte edhe me sëmundjen e dementias, që prek shpesh sportistët për shkak të goditjeve në kokë.
Si lojtar veshi vetëm fanellën e Leeds dhe vendosi një shifër rekord ndeshjesh, 773, deri kur u tërhoq nga futbolli i luajtur në vitin 1973. Në vitin 1966 ishte pjesë e Anglisë, që u shpall kampione bote.
Charlton punoi më pas edhe si trajner, duke pasur sukses me klube si Sheffield Wednesday, Middlesbrough dhe Newcastle. Ai drejtoi edhe kombëtaren e Irlandës, që e çoi për herë të parë në finalet e EURO 1988.
Familja e tij ka lëshuar edhe një komunikatë për humbjen e Jack. “Ai vdiq paqësisht në shtëpi, me familjen në krah. Si një mik i mirë, ai ishte një bashkëshort i adhurueshëm, një baba, gjysh dhe stërgjysh po aq i adhurueshëm. Nuk mund ta shprehim dot me fjalë se sa krenarë jemi për jetën e tij të jashtëzakonshme dhe për kënaqësitë u dhuroi shumë njerëzve nga vende të ndryshme.
Ai ishte një njeri i sinqertë, i sjellshëm, i qeshur dhe që kishte kohë gjithmonë për njerëzit. Humbja e tij do të lërë një vrimë të madhe në jetën tonë, por ne i jemi mirënjohës për një jetë plot me kujtime të lumtura”.