Ndërsa britanikët u ndanë nga BE-ja, Stanley Johnson, babai i kryeministrit britanik, kërkon shtetësinë franceze. Kjo ka shkaktuar komente shpotitëse.
Pas zbatimit përfundimtar të Brexit-it, pra largimit të Britanisë së Madhe nga tregu i brendshëm i BE dhe bashkimit doganor, babai i kryeministrit britanik, Boris Johnson, deklaroi se do të bëjkërkesë për të marrë shtetësinë franceze.
Me këtë veprim “dua të mbaj një lidhje personale me Bashkimin Evropian”, tha Stanley Johnson në një intevistë për radio-stacionin francez RTL. “Unë do të jem gjithmonë evropian, kjo është e sigurt”.
“Kërkesa ime madje nuk ka të bëjë thjesht me të bërin francez. Nëse e kuptoj mirë, unë jam francez”, tha 80-vjeçari në intervistën e zhvilluar në frëngjisht. “Nëna ime ka lindur në Francë, nëna e saj ishte e gjitha franceze dhe gjyshi i saj gjithashtu”.
Stanley Johnson ka qenë një nga zyrtarët e parë britanikë në Bruksel.
Në vitin 1979 ai u bë anëtar i Parlamentit Evropian. Më vonë Stanley Johnsoni ka punuar për Komisionin e BE-së. Ai ishte kundërshtar i rreptë i Brexit-it deri në vitin 2016, por më pas ndryshoi qëndrim.
“Dramë familjare në fund të sagës së Brexitit”
Deklaratat e Stanley Johnsonit shkaktuan kritika, tallje dhe shpoti ndër qytetarët britanikë dhe ata të BE-së. Stanley Johnson po përfiton personalisht duke bërë kërkesë për një pasaportë të BE, tha Chris Rennard, anëtar i Dhomës së Lordëve, “diçka që i biri ,Boris nuk ua lejon më 67 milion qytetarëve britanikë.”
Stanley Johnson ishte kundërshtar i rreptë i Brexit-it deri në vitin 2016, por më pas ndryshoi qëndrim
Gazeta franceze “Liberation” e quajti me humor deklaratën e Johnsonit si “një dramë familjare për të përmbyllur episodin e fundit të sagës së Brexitit”.
Brexiti e ka ndarë vërtetë politikisht familjen e kryeministrit Britanik. Në shenjë proteste, motra e tij Rachel Johnson, gazetare, u largua nga Partia Konservatore dhe u bashkua me Liberal Demokratët para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017. Kurse vëllai i Boris Johnsonit, Jo Johnson dha në 2018 dorëheqjen nga një post në kabinet, sepse doli në mbrojtje të lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian.