Kandidati për president të SHBA-së, Joe Biden ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë njohjen reciproke, por duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të dy shteteve.
Biden, që është kandidat demokrat për president, ka dërguar një deklaratë për gazetën shqiptaro-amerikane, “Illyria” në New York. Sipas tij, vendimi për rifillim të dialogut është hap vital për rajonin.
“Kam qenë mbështetës i hershëm dhe i zëshëm i paqes dhe ripajtimit në Evropën Juglindore. Vendimi nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të rifilluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është një hap vital përpara në këtë rajon kritik. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila sjell njohjen reciproke, ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të të dy vendeve si dhe përforcon institucionet e tyre demokratike, është thelbësore që Kosova dhe Serbia të ecin përpara”, ka shkruar Biden për “Illyria”.