Megjithatë ska koalicion parazgjedhorë mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Ky lajm s’do mend se do t’i hidhërojë një numër të madh të simpatizantëve të dy partive, përcjell Gazeta Mejdani. .
Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) dhe Lëvizja “Vetëvendosje” me shumë gjasë nuk do të arrijnë koalicion parazgjedhor për të garuar në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit të këtij viti.
Burimet e Gazeta Mejdani bëjnë të ditur se në takimin e fundit të zhvilluar dje mes kreut të LDK-së, Isa Mustafa, Vjosa Osmanit dhe Lutfi Hazirit në njërën anë dhe Albin Kurtit, Glauk Konjufcës dhe Besnik Bislimit nga “Vetëvendosja” në anën tjetër, nuk kanë arritur të merren vesh për postin e kryeministrit.
LDK-ja nuk është treguar e gatshme t’ia lëshoj postin e kryeministrit Albin Kurtit, si kusht për të arritur një koalicion parazgjedhor mes dy partive opozitare, por edhe lëvizja “Vetëvendosje” ka qenë e prerë që mos ta përkrahë kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryeministre para zgjedhjeve.
Megjithatë, thuhet se LDK-ja dhe LVV-ja janë pajtuar për një koalicion të mundshëm paszgjedhor dhe njëkohësisht që të mos zhvillojnë fushatë dëmtuese ndaj njëra-tjetrës gjatë muajit të ardhshëm (shtator).
Drejtuesit e LDK-së dhe LVV-së priten të takohen edhe gjatë ditëve në vijim, por në këto takime më shumë do të bisedohet për koalicionin paszgjedhor.
Këto dy parti kanë arritur pajtim edhe për zvogëlimin e numrit të Ministrive dhe disa çështjeve tjera që lidhen me programin e ri qeveritar./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post