Rreth dy javë pasi Prokuroria Speciale në Hagë bëri të ditur se ka dorëzuar aktakuzë ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit si dhe ndaj ish 9 pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte, Presidenti Thaçi sot ka bërë më dije se është ftuar për t’u intervistuar në kryeqytetin holandez. Atje do të udhëtojë të hënën e ardhshme.
I pari i vendit gjithashtu tha se Kosova edhe pse viktimë, ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë. E si rezultat i kësaj, shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Kosovë dhe jashtë saj.
presidenti ftoi qytetarët që t’i përballojnë këto sfida së bashku derisa shumë luftëtarë të UÇK-së do të përballen me drejtësinë ndërkombëtare.
Ai edhe njëherë kujtoi se besimi në institucione është e domosdoshme që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për këtë çështje, “Bota sot”, ka kontaktuar politologun e njohur, i cili edhe ka dhënë disa versione rreth kësaj ftese.
“Do të ishte normale që presidenti Thaçi tashmë të deklaronte dorëheqjen e tij në momentin kur e bëri publike se ai ka një ftesë për të udhëtuar të hënën në Hagë”, është shprehur fillimisht Haziri, të mërkurën për gazetën “Bota sot”.
Tutje, Haziri ka theksuar se shkuarja e Thaçit në Hagë si president, e dëmton imazhin e vendit.
Andaj, krejt në fund, analisti nënvizon se pret që kreu i shtetit të reflektojë dhe kështu të jap dorëheqje.
“Duke u paraqitur si president i Kosovës përballë prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, nuk i ndihmon asgjë Thaçit, përkundër që dëmton imazhin e vendit dhe vet institucionin e presidentit, dhe unë vlerësoj së këto i ka parasysh edhe vet Thaçi dhe pres që mbi këtë bazë edhe të reflektojë dhe të jap dorëheqje nga detyra e presidentit të vendit”, ka përfunduat analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.
Kujtojmë se në ditën kur Zyra e Prokurorit bëri publike aktakuzat, presidenti Hasihm Thaçi ishte duke udhëtuar drejt Shtëpisë së Bardhë për të takuar homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të të dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për dialog, Richard Grenell.
Ky takim u anulua menjëherë pas publikimit të aktakuzave.