Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot (e hënë ) në orën 20:00 do të paraqitet para publikut për herë të parë pas propozimaktakuzës nga Gjykata Speciale.
Lajmin e ka konfirmuar Presidenca e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie.
Pas propozimaktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, presidenti Hashim Thaçi ka ndërprerë udhëtimin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ku pritej të merrte pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti. Thaçi të premten e javës që shkoi ka aterruar në Aeroportin “Nëna Terezë” në Tiranë, duke njoftuar se të dielën do të bënte një adresim publik nga zyra e vet. “Sapo kam zbritur në Aeroportin ‘Nëna Terezë’ në Tiranë. Të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara”, kishte shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kujtojmë se propozim-aktakuza për Hashim Thaçin dhe Kadri Veseli ka ndryshuar gjithçka edhe sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pas ndërprerjes së udhëtimit nga Thaçi në ShBA dhe anulimit të pjesëmarrjes në takimin e ftuar nga ShBA-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, të njëjtën gjë e ka bërë edhe kryeministri Avdullah Hoti. Në ndërkohë nikoqiri i këtij takimi, emisari special i presidentit amerikan për dialogun, ambasadori Richard Grenell, kishte njoftuar se ky takim i paraparë në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë do të ricaktohet shumë shpejt.
Ndërsa në ditën e publikimit të propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale ka reaguar kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Ai i ka quajtur politike dhe të pabazuara pretendimet e Zyrës së Prokurorit Special në kuadër të Dhomave të Specializuara. Veseli ka theksuar se publikimi i aktakuzës pa u konfirmuar është veprim i paprecedentë.
Më tutje, ai ka thënë se dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Gjithashtu, Veseli ka mohuar pretendimet e prokurorisë për pengim të punës së gjykatës. Ai po e paralajmëron popullin e Kosovës se ky proces nuk mund të jetë i besueshëm për të ndarë drejtësi të paanshme dhe të pandikuar nga rrethanat politike.
“Ai po përpiqet që përmes deklaratave kundërthënëse t’i mbulojë motivet e vërteta që duket se janë politike. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se nuk do të lejoj që ky prokuror dhe asnjë tjetër si ai ta njollosë në këtë mënyrë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi qenë të detyruar që ta mbrojmë veten dhe vendin tonë dhe do ta bëjmë sërish. Nëse na imponohet, edhe një herë do të demonstrojmë me fakte se UÇK-ja ka zhvilluar një luftë të ndershme për liri, kundër një prej ushtrive më të fuqishme dhe më agresore në botë, të udhëhequr nga një bandë kriminale serbësh. Luftëtarët e lirisë, që në vitet 1998 e 1999 morën armët në duar për ta mbrojtur popullin, familjet, shtëpitë dhe nderin e tyre, ndaj përpjekjeve gjenocidale të Serbisë, meritojnë vetëm nderim e lartësim dhe jo fyerje në këtë mënyrë”, ka thënë Veseli.
Ndaj propozimaktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit kanë reaguar përfaqësuesit e institucioneve dhe partive politike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës etj.