Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) sot zgjodhi ish-ambasadorin turk Volkan Bozkır president të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Bozkır aktualisht është ligjvënës i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) dhe kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të parlamentit turk.
Ai ishte zgjedhur në Kuvendin e Turqisë në vitin 2011 pas gati 40 vjetësh në shërbime jashtë vendit, përfshirë poste në Shutgart, Bagdad, New York dhe Bukuresht.
Bozkır, i cili po ashtu ka shërbyer si ministër i qeverisë turke për Çështjet e BE-së dhe kryenegociator, është shtetasi i parë turk që kryeson Asamblenë e Përgjithshme. Ai do të marrë detyrën në shtator dhe do ta mbajë postin për një vit.
Këtë vit ai do të udhëheqë takimin vjetor i cili përgatitet të mbahet në formë virtuale për herë të parë në historinë 75-vjeçare të OKB-së për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19).
Liderët botërorë zakonisht shoqërohen nga delegacione të mëdha kur mblidhen në New York për takimet vjetore, një mundësi e rrallë për të biseduar drejtpërdrejt me udhëheqësit e tjerë nga mbarë bota.
Këtë vit pritej një mbledhje e veçantë pasi organizata ndërkombëtare feston 75-vjetorin e saj, por me vazhdimin e virusit, aktualisht po diskutohen masa alternative.
Presidenti aktual i Asamblesë së Përgjithshme Tijjani Muhammad-Bande u tha gazetarëve të hënën e kaluar se “liderët botërorë nuk mund të vijnë në New York sepse ata nuk mund të vijnë thjesht individualisht”, duke iu referuar numrit të madh të shoqëruesve.
Ai tha se mbetet të shihet në dy javët e ardhshme se si do të zhvillohet takimi i ardhshëm.