“Të dy palët ranë dakord për të zgjidhur këtë çështje përmes dialogut dhe negociatave, për të qetësuar situatën dhe për të siguruar paqen dhe qetësinë në zonën kufitare”
Kina njoftoi se ka arritur marrëveshje me Indinë për të zgjidhur me rrugë paqësore problemin në zonën kufitare ku pas konfliktit humbën jetën dhjetëra ushtarë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, në një konferencë të përditshme për shtyp në Pekin vlerësoi konfliktin e përjetuar dje në kufirin Kinë-Indi.
“Të dy palët ranë dakord për të zgjidhur këtë çështje përmes dialogut dhe negociatave, për të qetësuar situatën dhe për të siguruar paqen dhe qetësinë në zonën kufitare” tha Lijian, duke pretenduar se konflikti ndodhi pas provokimit dhe sulmit të ushtarëve indianë.
Qeveria e Kinës ka protestuar në mënyrën më të fortë New Delhi-n për shkak të konfliktit deklaroi Lijian duke u shprehur se “Edhe njëherë i kërkojmë Indisë që të veprojë në përputhje me marrëveshjen tonë dhe të vendosë nën disiplinë të rreptë njësitë kufitare që të mos kalojnë zonën kufitare dhe të mos kryejnë provokime dhe veprime të njëanshme që mund të kompleksojnë edhe më tej situatën”.
Pavarësisht se India njoftoi numrin e të vrarëve dhe të plagosurve pas tensionit të përjetuar në kufi, nga pala e Kinës nuk u dha ndonjë informacion lidhur me situatën në fjalë.
– Tensioni me burim të drejtat sovrane u përshkallëzua edhe në vitin 2017
Zyrtarët indianë në fillim të majit deklaruan se ushtarët kinezë kanë hyrë nga tre pika në rajonin Ladakh duke ngritur këtu çadra dhe stacione ushtarake dhe ushtarët kanë shpërfillur dhjetëra paralajmërimet verbale të bëra “për largimin nga rajoni”.
Pas përballjes së ushtarëve në pjesën lindore të Ladakh dhe në rajonin Sikkim vëmendja u kthye në këtë rajon.
Kina dhe India vendosën forca shtesë të sigurisë në zonat Demchok, Chumar, Daulat Beg Oldie, luginën Galwan që ndodhen në Ladakh si dhe në zonën përreth liqenit Pangong Tso.
Ushtarët kinezë ngritën rreth 100 çadra në luginën Galwan, ndërsa rriti edhe numrin e patrullimeve të gomoneve në liqenin Pangong Tso.
Mes dy vendeve shkaktohen debate për sovranitet në pjesën më të madhe të vijës kufitare prej 3.500 km mes Kinës dhe Indisë.
Territorin prej 90 mijë km katror në rajonin Arunachal Pradesh të Indisë, Kina e emërton si “Tibeti Jugor” dhe pretendon të drejta, ndërsa qeveria e New Delhit mbron idenë e saj se Kina ka pushtuar një territor 38 mijë km katror që përfshin edhe pllajat Aksai Chin.
Palët nuk kanë mundur të zgjidhin mosmarrëveshjet për sovranitet pavarësisht bisedimeve që kanë kryer prej shumë vitesh. Çështja në fjalë kohët e fundit ka shkaktuar rritjen e mëtejshme të tensionit Pekin-New Delhi.
Tensionet me burim për të drejtat e sovranitetit në kufirin mes dy vendeve u përshkallëzuan edhe në vitin 2017.