Derisa shumica e vendimmarrësve kanë qenë të preokupuar se si të vendosin një ekuilibër midis ruajtjes së shëndetit të njerëzve dhe rihapjes së aktiviteteve ekonomike, tashmë, në epokën post-pandemike, është i nevojshëm një vizion për të krijuar lidhje më të ngushta midis Tajvanit dhe Evropës në përgjithësi, si dhe Tajvanit e Kosovës në veçanti.
Shkruan: Liu Shih-Chung
Kosova dhe Tajvani ndajnë shumë të përbashkëta në luftën e tyre për sovranitet të pavarur, për rezistencë demokratike, për mbijetesë ekonomike dhe për njohje ndërkombëtare. Në fakt, Tajvani ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Tajvani ka raporte të kahershme me Kosovën. Dy dekada më parë, kur popullata e Kosovës u detyrua të lërë shtëpitë për shkak të luftës së vitit 1999, Tajvani siguroi ndihmë për refugjatët dhe ndihmë për rindërtimin e vendit pas luftës.
Atëherë Tajvani kishte brengë humanitare për refugjatët kosovarë dhe për zonat e shkatërruara nga lufta, të cilat kishin nevojë të jashtëzakonshme për rindërtim. Sot, Kosova është ndryshe, krahasuar me vitin 1999. Marrëdhënia jonë pasqyron këtë ndryshim të jashtëzakonshëm që ndodhi në Kosovë në dy dekadat e fundit. Tajvani dhe Kosova qëndrojnë në një pozicion strategjik të luftës diplomatike dhe të sigurisë midis Fuqive të mëdha.
Është e vetëkuptueshme që të dy vendet janë ballafaquar vazhdimisht me kërcënime të sigurisë kombëtare nga forcat fqinje, porse të dy vendet mbështesin pa hezitim edhe vlerat universale të lirisë dhe të demokracisë, të qeverisjes transparente dhe të hapjes ndaj botës. Më e rëndësishmja është se të dy vendet janë përqafuar nga brezi i ri që parapëlqen zhvillim të qëndrueshëm, udhëheqje të përgjegjshme dhe një jetë të denjë. Për shkak të pandemisë, shumica e vendeve janë përballur me rënie ekonomike dhe me recesion. Qeveria Kurti fitoi një mandat të fuqishëm në zgjedhjet që u mbajtën në vend në fillim të këtij viti, duke premtuar një ripërtëritje ekonomike dhe një përmirësim të situatës së papunësisë.
Kosova ka nevojë për partnerë të besueshëm për të arritur qëllime të tilla. Derisa shumica e vendeve në botë kanë përjetuar shenja të recesionit ekonomik, Tajvani duket se bën përjashtim në këtë aspekt. Tajvani kishte një rritje të GDP-së prej 3.11% në vitin 2020. Rritja vjetore e vlerësuar e GDP-së për vitin 2021 është 4.64%. Eksporti i Tajvanit u rrit gjatë kohës së pandemisë, veçanërisht në fushat e gjysmëpërçuesve, të IT-së, të telekomunikacionit 4G/5G, të pajisjeve inteligjente dhe të sektorëve bujqësorë teknologjikë. Gjithashtu, pandemia lehtësoi zhvillimin e Tajvanit në pajisjet mjekësore dhe në prodhimin e vaksinave. Veçanërisht, COVID-19 stimuloi shitjet në industrinë e pajisjeve mjekësore të Tajvanit, duke përfshirë prodhimin e maskave, të termometrave (për matjen e temperaturës në ballë), të veshjeve mbrojtëse e izoluese, si dhe të gjësendeve të tjera, duke përfshirë edhe pajisjet e testit PCR, pajisjet e testimit të shpejtë dhe dorezat mjekësore.
Nëse shumica e vendeve kanë punuar shumë për të zhvilluar prodhimin e tyre të vaksinave, Tajvani jo vetëm që ka shpejtuar prodhimin e vaksinave lokale, por gjithashtu ka punuar edhe me vendet e tjera në bashkëpunimin dhe shpërndarjen e vaksinave. Kosova mund të jetë një partner ideal për plane të tilla. Në përballje me pasigurinë e ekonomisë globale, arsyeja kryesore që i kontribuon strategjisë së re ekonomike të Tajvanit është lëvizja e shumëllojshme e nisur nga Qeveria ndaj varësisë së tepërt nga tregu kinez.
Një faktor kryesor i qëndrueshmërisë ekonomike të Tajvanit është strategjia e vazhdueshme e shumëllojshme e adaptuar nga bizneset tajvaneze në Kinë. Rritja e pagave të punës, bashkë me rregulloret e rrepta mjedisore në Kinë, kanë detyruar kompanitë tajvaneze të marrin në konsideratë përqendrimin në tregjet e tjera. Në katër vitet e fundit, Qeveria e Tajvanit ka studiuar mundësinë e një politike “për lëvizje në jug”, duke thelluar lidhjen e saj me vendet në Azinë jugore dhe atë juglindore. Megjithatë, pas rritjes së “fenomenit të zinxhirit të furnizimit të shkurtër”, u panë më shumë interesa dhe përpjekje nga kompanitë tajvaneze për të lëvizur bazën e tyre të prodhimit sa më afër tregjeve, duke përfshirë Evropën Qendrore dhe atë Lindore, Ballkanin dhe Meksikën.
Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, ka theksuar nevojën për të përdorur pikat e forta të Tajvanit në industritë e gjysmëpërçuesve dhe të teknologjisë së komunikimit të informacionit për të siguruar një rol qendror në zinxhirin global të furnizimit. Përveç “lëvizjes në jug”, Tsai njoftoi vitin e kaluar edhe për forcimin e mëtejmë të tregtisë dhe të investimeve të Tajvanit me partnerët e mundshëm evropianë. Evropa dhe Tajvani ndajnë vlerat universale të të Drejtave të Njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit. Të dy mbështesin parimet e hapjes, të transparencës dhe të tregtisë së lirë.
Të dy aspirojnë të krijojnë një botë të qëndrueshme, të gjelbër, të përtërirë dhe digjitale. Si një demokraci e fortë dhe si një ekonomi e përparuar dhe e lulëzuar në aspektin teknologjik, Tajvani do të mund të kontribuojë në vizionet e tij, veçanërisht në zonat evropiane dhe ato ballkanike. Pavarësisht se Ballkani është një territor, në dukje, i pazbuluar për shumicën e kompanive tajvaneze, gjithnjë e më shumë, bizneset tajvaneze po e njohin potencialin e Kosovës jo vetëm si një treg, por edhe si një pikë strategjike për biznesin dhe shtrirjen e tregut. Së bashku, Tajvani dhe Kosova, mund të shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit në shkëmbimet FDI të eksport-importit. Kjo do të çonte te një fitore për të dyja palët.
Gjithashtu, kjo do të hapte rrugën për më shumë angazhime të njerëzve. Sektori i TIK-ut në Kosovë është një diamant i fshehur, që ne në Tajvan e kemi njohur në vitin 2018, kur bashkë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kemi pritur Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK), e cila ka krijuar në tregun e Kosovës shumë “start-ups” të suksesshëm. Besoj se sektori i TIK-ut është një fushë e rëndësishme e bashkëpunimit që duhet të shfrytëzohet më shumë ndërmjet Tajvanit dhe Kosovës për të ndërtuar marrëdhënie më të fuqishmë ekonomike dhe tregtare.
Në samitin më të fundit brenda ministrave të Jashtëm të G-7-ës dhe të udhëheqësve të saj kombëtarë, të gjitha vendet kryesore kanë theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit. Arritjet e Tajvanit në konsolidimin e sistemit të vet demokratik, si dhe kundërveprimi me agresivitetin diplomatik dhe provokimin ushtarak të Kinës, kanë fituar mbështetje të fuqishmë nga demokracitë perëndimore. Gjithnjë e më shumë partnerë të një mendjeje janë bashkuar me Tajvanin për t’u marrë së bashku me sfidat aktuale nga hegjemonët. Tani është koha që Tajvani dhe Kosova të krijojnë një partneritet të qëndrueshëm dhe strategjik. Liu Shih-chung është përfaqësues i Tajvanit në Hungari, i cili gjithashtu është përgjegjës për marrëdhëniet me Kosovën.