Diku në një libër ku përshkruhej një nga qytetet e Turqisë Bursa, lexova një konstatim, që më befasoi dhe më bëri të shtangem. Aty thuhej: Shpalljet Hyjnore të profetëve të Zotit, ju kanë ardhur të gjithëve në natyrë. Po jua lë juve ta vërtetoni këtë. Unë ua tregova si një shteg, me tutje ju duhet të ecni vetë. Edhe pse kisha studiuar teologji mua ky argument më kishte shpëtuar. Letërsia, dhe në veçanti poezia për mua ka qënë pasioni i përhershëm.
Shkruan: Isa Bajrami (ESE)
Duke qenë se jam rritur në fshat, natyra ka qënë muza ime. Ju sa lule të shihni aq fjalë të bukura kam unë për to, ndaj mos kërkoni t’ju flas për lulet, nuk mbarojne fjalët e mia ndaj ndikimit që ato kanë tek unë. Gjetheve diku iu kam thënë: Ju i rezistoni të nxehtit të diellit, mirëpo dy vargje dashurie të shkruaj unë mbi ju, do të digjeshit. Natyra më dukej xhube e përshtatshme për shpirtin tim. Hëna po ashtu më dukej çallmë që më rrinte mirë. Më duket vetja si një mendimtar i moçëm. Poetët janë mistikë në qofshin besimtarë apo jo-besimtarë. Muzgu për mua ka qënë një imagjinim mistik, që më bënte edhe mua mistik. Madje, muzgu gjithmonë mua më përngjante si një murg. Më vonë do të lexoja për vepren Manṭıḳu’ṭ-ṭayr (Me gjuhën e zogjve) të sufiut të madh Ferîdüddîn-i Attâr. Ai në këtë vepër bën përshkrimin e udhëtimit mistik, duke përdorur si simbol zogun Hud-hud dhe zogun Simurg. Habi.
Pranvera ka ardhur! Premtimi i politikanëve se do të sjellin det aty ku nuk ka det, mund të jetë mashtrim, por që jeshillëku është një det unë nuk e ekzagjeroj. Duke parë një gur një ditë a e dini ç’shkruajta? Sa me fat ky gur, s’ka pasur fatin e keq të ishte çakull nën asfalt. As të ishte gur dekorativ në lluksin që s’do të bëhet kurrë antik. Ai rri aty i qetë ndër gjelbërim e lule. Thonë se dikur u dashurua me një lule, mirëpo ajo e kish refuzuar, dhe tani ai është bërë mistik. Aty rri në shi dhe nën diellin e nxehtë, pa u ankuar. Nuk i pëlqen të flasin për të, aq shumë është i mbyllur në vetvete, ndaj as unë nuk po e zgjas më shumë. Kur flitet për pranveren menjëherë ndërmend na vjen Ringjallja. Për ekzistencën e botës tjetër, një ndër argumentet kryesore ontologjike është vdekja dhe ringjallja e natyrës.
Dhe ky argument absolutisht qëndron. Por unë më shumë doja të ndalesha tek ringjallja e shpirtrave tanë, e ndjesive tona të bukura estetike, duke qenë gjallë që në këtë botë. Përditësimi i shpirtrave tanë të ndryshkur si hekuri nëpër betonet e qyteteve. A nuk duhet të braktisim lokalet dhe të kalojmë pak kohë në natyrë, dhe polenet të bien mbi flokët tanë dhe të duken si kafe turke me shkumë? Kush ka alergji nga natyra prapë duhet ta dojë natyrën. Mistikët turq thonë: kërkoja derman për derdin tim, mirëpo derdi im ishte derman.
Një qytet duhet të ketë sa më pak ambiente për joga dhe sa më shumë natyrë. Letrën e faturave mbështilleni dhe flakeni tej, përqafoni të gjithë hapësirën. Një fole zogu do t’ju pëlqejë më shumë, se një apartament 1 + 1. Bëhuni narcizist duke debatur cilat nga ngjyrat e natyrës ju pëlqen më shumë. Qytetet sot janë varfëruar aq shumë, saqë nuk gjen as milingona të hajë thërrimet në fast-food. Shkatërrohen shtëpi private për t’u bërë pallate. Prishet gravitacioni dhé-qiell. Nëse nuk ka dhé, nuk ka as insekte. Po mbrëmjeve verore pa dëgjuar xhërr-xhërret e insekteve, si mund të bëhemi minatorë në minierat e mendimeve?
Ashtu sikurse më ther në shpirt që dikur në vendin tonë janë shembur xhamitë dhe kishat, po aq shumë me ther në shpirt, që nuk ekzistojnë më as bahçet e mbushura me lule të shtëpive “tironse”. Ashtu siç i dëgjojmë nga më të vjetrit dhe siç i lexojmë në shkrime të ndryshe, ato kanë qënë jo mushkëritë, por vete frymëmarrja e Tiranës. Edhe pse jam i ri në moshë dhe mund të konsiderohem si njeri i epokës moderne e më duhet të jem admirues i plastikës, pa ato bahçe mua më duket Tirana e pafrymë.
Nuk e kuptoj si ju bie rruga Korçarëve dhe Përmetarëve, apo Shkodranëve apo Pukjanëve në Tiranë. Kam pasur fatin të jetoj disa kohë në Turqi. Andej nga ku poeti ynë kombëtar Naimi ka sjellur shumë lloje lulesh këtu në Shqipërinë tonë. Unë nuk e njoh nga afër kulturën e bahçeve në vende të tjera, për to do të doja të lexoja nga ju. Mirëpo unë, me modesti desha t’ju flas për kulturën e bahçeve, që ka pas ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë në Turqi. Muslimanët kanë një shprehje që shpjegon dimensionin e tyre të kuptuarit të fesë dhe natyrës. Shprehja është kjo: “Kurani është natyrë e shkruar, ndërsa natyra Kuran i pashkruar”.
Po ashtu edhe në shumë versete në Kuran Xheneti – që vetë kjo fjalë në mënyrë mahnitese do të thotë bahçe- përshkruhet nga Zoti në mënyrën më të bukur me elemente natyrore. Gjithashtu në shumë Hadithe të profetit Muhamed alejhi selam mund të gjejmë ngashërim për natyrën. Të gjitha këto të marra së bashku duke shtuar edhe që populli turk para İslamit ka qënë Shemanist kanë ndikuar që në Turqi të ketë një kulturë mahnitëse për bahçet. Do të qëndroja veç në disa tregues nga indetifikimi i kësaj kulture.
Në kohën e Perandorisë Osmane po të shohim përngjasimet, artet e zbukurimeve, do të shohim se motivet e tyre frymëzimin e kanë marrë nga lulet. Artet klasike si arti Ebru, Hat, Tezhip, po t’i shohim do të kuptojmë se motivet me lule tek to zënë një vend shumë të rëndësishëm. Me të shumta vërejmë motivet me lulet: trëndafil, zymbyl, lale-karafil, lule-nuse, jargavanë. Gjithashtu dhe në zbukurimet tek gurët e varreve gjejmë motive me lule. Veçanërisht në guret e varreve të femrave janë përdorur motive me lule. Vlen te përmendim veç nje motiv. Për vajzat e pamartuara në gurët e varreve të tyre kanë qënë të vizatuara gonxhe trëndafili. Turqit duke menduar se lulet dhe arti i kultivimit të tyre ka një vend të veçantë në ndikimin në jetën e njeriut, kanë ndjekur dhe këto praktika.
Për shembull në kulturën osmane kasapëve shteti iu jepte leje, që për gjashtë muaj të shkonin të merreshin me lulet në bahçe ku kishte lule. Kjo për arsyen se kasapi duke prerë gjithmonë mish mund t’i humbiste ndjenja e mëshirës dhe për të kompensuar këtë, shteti i dërgonte të kalonin kohë duke u marre me bahçet. Po ashtu, në Perandorinë Osmane njerëzit ishin aq shumë të dhënë pas luleve, saqë kishin formuar dhe shoqatën: Shoqata e Dashamirësve të Luleve. Kultivuesit e luleve i sillnin lulet në vendin ku do t’i ekspozonin, përfaqësuesit e këtij kuvendi i vlerësonin lulet dhe llojit të luleve që nuk iu ngjanin atyre që ishin ekspozuar më parë i emërtonin me një emër të ri. Madje organizoheshin konkurse për zgjedhjen e lules më të buķur. Në kohën e Osmanlinjve qe’ krijuar edhe Akademia e luleve (Çiçek ercümen-i Danişi). Në bahçet e Stambollit prezenca e luleve lale (tulipanit), trëndafil, karafil dhe xherokulli ishin të padiskutueshme.
Veçimi i lules LALE-tulipanit nga lulet e tjera dhe që e bën atë kaq të veçantë për shpirtin turk, shkaku është shumë interesant. Si forma ashtu edhe emërtimi e ka bërë atë të veçantë. Arsyeja është, se kjo lule iu përngjan shkronjave arabe. Forma e saj pothuajse i përmban të gjitha shkronjat e emrit të Zotit të shkruar në arabisht. Po ashtu edhe numri i shkronjave të kësaj luleje me emrin e veçante të Zotit Allah është i njëjtë. Nga kjo ata kuptonin, se Krijuesi ekzistencën e Tij e ka të reflektuar tek krijesat e Tij. Gjithashtu TRËNDAFILI për ata simbolizon dashurinë, që ata kanë për Profetin Muhamed a.s.
Njerëzit që jetonin në kohën e Perandorisë Osmane nëpërmjet luleve shprehnin një botë shumë ndikuese. Ata edhe lulet që vendosnin në ballkone iu kishin dhënë një kuptim dhe shenjë. Nëse në një shtëpi kishte një të sëmurë, para dritares vendosej një lule e verdhë. Dhe kjo vinte me kuptimin « në këtë shtëpi ka të sëmurë, ata që kalojnë tek rruga duhet të kenë kujdes mos të flasin me zë të lartë ». Nëse para dritares kishte lule me ngjyrë të kuqe, ishte shenjë që në këtë shtëpi ka një vajzë, që ka mbërritur moshën e marteses. Ata që kalojnë duhet të kenë kujdes nga të folurat e tyre. Duhet të keni dëgjuar për dashurinë e Sulltanëve për lulet dhe krijimin e bahçeve marram
endëse gjatë sundimit të tyre. Shpjegimi i gjithë asaj kulture, aq mbresëlënese për bahçet në qytetërimin e Perandorisë Osmane absolutisht që ky shkrim, nuk mund të jetë i mjaftueshëm, mirëpo nëse ju kam bërë kureshtar të njihni më shumë atë kulture do të ndihesha mirë. Qyteti i Bursës në Turqi njihet ndryshe edhe si qyteti Jeshil Bursa. Pra Bursa jeshile. Sepse ky qytet është i mbushur me jeshillëk gjithandej. Në këtë qytet janë hedhur bazat e para të formimit të Perandorisë Osmane. Në gjykimin tim letrar Perandoria Osmane së pari ishte atje që ka lëshuar rrënjë dhe se ky qytet është jeshil dhe ngjyra simbol e muslimanëve është e jeshilja nuk janë rastësi. Shkrimin tim po e mbyll me një tregim.
Lulja dhe uji
Në një prej ditëve një lule përballet me ujin dhe bëhen shokë. Fillimet e tyre janë marrëdhënie shoqërore. Natyrisht duhet gjithmonë kohë që shokët të njohin njëri-tjetrin. Koha shkonte e vinte dhe lulja ndihej aq e lumtur pranë ujit, saqë po plaste nga brenda, në fund kupton që ishte dashuruar me ujin. Ishte hera e parë që lulja binte në dashuri.
Rreth saj fillon të përhapë aromë sikur donte të thoshte, se këtë e bëj veç për hatrin tënd oh ujë! Vjen një kohë që dhe uji brenda tij fillon të ndjejë diçka për lulen. Kupton “me lulen jam dashuruar”. Por dhe uji për herë të parë dashurohej. Ditët dhe muajt e përzënë njëri-tjetrin dhe lulja: ‘Vallë uji nuk më do mua ?’- fillon të mendojë. Sepse uji nuk është se po interesohej shumë për lulen. Mirëpo lulja po lëndohej nga kjo sjellje në dashuri. S’duron dot më dhe një ditë lulja i thotë ujit : -Të dua.- “Edhe unë të dua” – i përgjigjet uji. Kalon një kohë dhe lulja prapë i thotë ujit – “Të dua” -“Edhe unë – thotë uji. Lulja është durimtare. Pret, pret, pret… dhe vjen në një gjendje që lulja tani më nuk lëshon aromë rreth saj. Dhe për herë të fundit ujit i thotë – “Të dua”. Uji i thotë: – “Të kam thënë, dhe unë ty të dua”- Vjen një ditë që lulja shtrohet në shtrat.
Tani lulja ishte sëmurur. Ngjyra i ishte zbehur, çehrja i kishte ndryshuar. Lulja tashmë ndodhet në shtrat, dhe uji ashtu i trishtuar i rri tek koka duke menduar çka mund të bëjë për të. Po është e qartë kuptohet, se lulja do të ndërtojë jetë dhe për herë të fundit me vështirësi e kthen kokën nga uji dhe i thotë: “Unë ty vërtet të dua”. Përballë kësaj gjendje uji mërzitet shumë. Si zgjidhje të fundit thërret nje doktor. Doktori vjen e viziton lulen. Pas vizitës doktori shprehet: -“Gjendja e të sëmurës është e pashpresë, s’kemi ç’të bëjmë më shumë”- Uji bëhet merak për të dashurën e tij, ç’është kjo sëmundje që po e çon drejt vdekjes dhe pyet doktorin. Doktori e sheh dhe thotë: -“Lulja nuk ka sëmundje mik, kjo lule veçse ka ngelur pa ujë, ndaj është duke ndërruar jetë”. Uji e kupton që të dashurës nuk mjafton t’i thuash veç “TË DUA”./Mexhlis.com/