Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të enjten se Stambolli është kthyer në një qendër ndërkombëtare shëndetësore falë investimeve që kanë realizuar në këtë fushë.
Ky vlerësim i kreut të shtetit turk erdhi gjatë fjalës së rastit në ceremoninë e përurimit të Spitalit Rajonal të Pishës dhe Lules së Qershisë në Basaksehir (Başakşehir Çam ve Sakura Şehir Hastanesi) të Stambollit.
“Ne sot po i shtojmë edhe një hallkë të re miqësisë rrënjësore dhe shumëdimensionale turko-japoneze. I mundësuam vendit tonë të fitojë edhe një tjetër vepër, e cila do të jetë një prej monumenteve të krenarisë së Stambollit jo vetëm në aspektin estetik, por edhe me infrastrukturën teknologjike, me anekset, pozicionin, mundësitë dhe me veçoritë e tjera”, tha ai.
Duke theksuar se Stambolli ka tashmë një pozitë qendrore në sistemin e shëndetësisë, Erdogani shtoi se në të njëjtën kohë metropoli më i madh turk është kthyer në një qendër ndërkombëtare shëndetësore.
“Ky spital do të jetë një nga veprat markë të Turqisë në turizmin shëndetësor, në një periudhë kur vlerat e shërbimit shëndetësor po kuptohen shumë më mirë”, u shpreh lideri turk.
Pasi rikujtoi se Turqia u ka zgjatur dorën e ndihmës mbi 80 shteteve në këtë periudhë të pandemisë globale të shkaktuar nga koronavirusi i ri (COVID-19), Erdogani potencoi se dërgimi i ndihmave do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
“Turqia dhe Japonia po demonstrojnë një sukses shembullor në një periudhë kur sistemet shëndetësore po falimentojnë dhe rendet publike po marrin plagë”, shtoi ai.
Ndërsa Kryeministri japonez, Shinzo Abe, i cili në këtë ceremoni inaugurimi mori pjesë me videokonferencë, uroi që ky spital që mban emrin e pishës dhe lules së qershisë – e para simbol i shëndetit dhe e dyta simbol i Japonisë – t’u sjellë shëndet banorëve të Stambollit.