“Nuk ka nevojë për diskutime me ata që nuk kanë të drejta veçanërisht në juridiksionet detare,” tha presidenti turk
Marrëveshja e fundit detare midis Greqisë dhe Egjiptit mbi zonat ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor është “e pavlerë”, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
“Kjo marrëveshje midis Greqisë dhe Egjiptit nuk ka asnjë vlerë,” tha presidenti turk në një prononcim për gazetarët në Stamboll pas faljes së namazit të xhumasë.
“Nuk ka nevojë për diskutime me ata që nuk kanë të drejta veçanërisht në juridiksionet detare,” shtoi Erdoğan.
Egjipti dje njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje dypalëshe me Greqinë për përcaktimin e juridiksioneve detare midis dy vendeve në Mesdheun Lindor.
Ministria e Jashtme turke reagoi ndaj “të ashtuquajturës marrëveshje” në një deklaratë, duke theksuar se Greqia dhe Egjipti nuk kanë asnjë kufi detar të ndërsjellë dhe se marrëveshja është “e pavlefshme” për Ankaranë.
Ministria shtoi se zona e demarkuar në marrëveshje gjendet në shelfin kontinental të Turqisë, siç është raportuar nga Ankaraja në OKB.
Ndërkaq, në lidhje me shpërthimin e fuqishëm që ndodhi në Portin e Bejrutit më 4 gusht, Erdoğan tha se Turqia po ndjek nga me kujdes informacionet e ofruara nga zyrtarët dhe shtoi se vendi i tij do të vazhdojë të jetë pranë Libanit dhe popullit të tij.
“Do të jemi pranë Libanit me çdo gjë që kemi në duar. Do të jemi pranë Bejrutit dhe pranë popullit libanez”, theksoi Erdoğan.
Ai tha se në lidhje me incidentin ka biseduar me homologun e tij nga Libani, Michel Aoun.
Më 4 gusht, në Portin e Bejrutit shpërtheu një zjarr në depon numër 12, ku gjendeshin lëndë shpërthyese, dhe më pas ndodhi një shpërthim shumë i fuqishëm që tronditi tërë qytetin.
Deri më tani, sipas autoriteteve zyrtare, 154 persona kanë humbur jetën dhe rreth 5 mijë janë plagosur nga shpërthimi.