Pas përfundimit të mbledhjes së sotme të kryesisë, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka deklaruar se mbledhja tjetër e Kryesisë së LDK-së do të mbahet këtë të hënë (26 gusht), në të cilën pritet të vendoset edhe për kandidatin për kryeministër nga radhët e kësaj partie, trasnmeton Gazeta Mejdani.
Ai para mediave tha se në këtë mbledhje është rikonfirmuar qëndrimi i LDK-së se nuk do të ketë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, raporton Front Online.
“Kryesia shprehi vullnetin që në këshillin e radhës të diskutohet edhe për çështjen e koalicionit të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje. Në takimin e radhës poashtu do të rikonfirmohet qëndrimi ynë që posti i kryeministrit i takon partisë më të madhe në vend, pra Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si dhe fare në fund, në takimin e kryesisë do të diskutohet edhe për mandatarin për kryeministër”, deklaroi Mustafa.
I pyetur për arsyen e mungesës së dy anëtarëve të kryesisë së LDK-së, Agim Veliut dhe Lufti Hazirit, ai tha se nuk është i sigurt për arsyen e mungesës.
Kur jemi tek emrat e mundshëm për kandidat të LDK-së për kryeministër, zëdhënësi i kësaj partie theksoi se Isa Mustafa ka thënë që brenda LDK-së ka disa kandidatë që janë të përgaditur dhe të kualifikuar për atë pozitë.
“Ka mjaft njerëz të përgaditur që mund ta marrin postin e kryeministrit, mirëpo të gjitha këto do të diskutohen të hënën në mëngjes”, shtoi Mustafa.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së, kanë munguar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ai i Podujevës, Agim Veliu.
Arsyeja e injorimit të kësaj mbledhje nga ana e tyre, dyshohet të ketë qenë përkrahja e të parit të LDK-së, Isa Mustafa për ish deputeten Vjosa Osmani, si kandidate për kryeministre. /Gazeta Mejdani/
Discussion about this post