Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se nga sot është në vetëizolim në banesën e tij pasi që një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19, raporton Syri.net Kosova.
Kurti përmes një postimi në Facebook thotë se ka pasur kontakt të ngushtë me të.
“Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE”, shkruan Kurti.
Ai ka siguruar se do t’i kryejnë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë.
“Do t’i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë”, thotë Kurti.
Edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu nëpërmjet një lidhje direkte për T7, ka konfirmuar se i gjithë stafi i kabinetit të kryeministrit është në vetizolim për 14 ditë pas rastit të kontaktit me të infektuar me Covid 19.