Deklarata e mbrëmshme e Shkëlzen Gashit në lidhje me UÇK-në, ka shkaktuar reagime të mëdha në opinionin shqiptarë e posaçërisht në Kosovë, shkruan Gazeta Mejdani.
Përkundër asaj që kishte thënë këshilltari i Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka reaguar me një postim të tij në Facebook dhe i është drejtuar familjarëve të dëshmorëve, bashkëluftëtarëve dhe gjithë qytetarëve të vendit.
Deputeti Bekë Berisha, i njohur dikur si një luftëtar i paepur në luftën për liri, e sidomos i njohur me guximin e tij të pashoq për tu ballafaquar me forcat vrasëse të Serbisë, kësaj radhe e ka ndjerë veten të fyer tejmase.
Përmes postimit të tij në facebook, deputeti nga radhët e AAK-së ka thënë se Albin Kurti, Rexhep Selimi dhe VV-ja duhet të distancohen nga kjo fundërrinë jugosllave, përndryshe edhe ata do të llogariten si të tillë dhe do të ballafaqohen me zemërimin e popullit.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të Bekë Berishës:
Familjarë të Dëshmorëve, bashkëluftetarë dhe qytetarë të nderuar
Këshilltari i Albin Kurtit, tregon hapur politikën e kësaj qeverie dhe qëndrimin e saj ndaj agresorëve të cilët na mbajtën me dekada të okupuar, na vranë e masakruan; e gjithashtu tregon qasjen që ndjek ndaj çlirimitarëve.
Albin Kurti, Rexhep Selimi dhe VV-ja urgjentisht duhet të distancohen nga kjo fundërrinë jugosllave, përndryshe edhe ju do të llogariteni si të tillë dhe do të ballafaqoheni me zemërimin e popullit.
Lufta Çlirimtare ka qenë e pastër si loti. Themelet e këtij shteti janë mbi gjakun e Dëshmorëve dhe Martirëve të Kombit.