LDK është mbledhur sot për ta caktuar emrin e mandatarit për kryeministër të ri, të qeverisë së re.
Ndonëse ende është e paqartë se cili do të jetë personi që do të udhëheq me qeverinë, ajo që tashmë dihet është se koalicioni i shumicës do të jetë më i gjerë se ai paraprak, me LDK-në, Nismën, AAK-në, AKR-në dhe partitë tjerë minoritare, përfshirë Listën Serbe që do të jenë pjesë e tij, shkruan lajmi.net.
Emri më i lakuar për udhëheqës të qeverisë së re është ai i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, mirëpo pa përjashtuar edhe Avdullah Hotin dhe Kujtim Shalën.
Sidoqoftë, në këtë mes nuk është përmendur ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, që është edhe nënkryetar i partisë. Faktikisht, Veliu e dërgoi Podujevën në zgjedhje të parakohshme, duke zgjedhur të jetë ministër në qeverinë Kurti, që zgjati vetëm 50 ditë. Zgjedhjet në Podujevë nuk janë mbajtur për shkak të pandemisë.
Veliu përveç që u shkarkua nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme, nuk ka mundësi as të kandidojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, teksa LDK në kandidaturë e ka vënë Nexhmi Rudarin. Nënkryetari Veliu s’do të jetë as pjesë e Kuvendit të Kosovës si deputet, pasi që ministrat pas zgjedhjes zakonisht ua lirojnë vendin bashkëpartiakëve me më shumë vota për të marrë ulëse në parlament. Sidoqoftë, Veliu nuk ishte as kandidat për deputet.
Pa pozitë në komunë, pa pozitë në qeveri e pa pozitë në Kuvend, mbetet të shihet nëse Lidhja Demokratike e Kosovës do ta rehatojë Veliun me ndonjë post ministror.
Ishte pikërisht shkarkimi i Veliut që ishte bërë “mollë sherri” mes VV-së e LDK-së, si veprim final që çoi në prishjen e koalicionit, veprim që ishte paraprirë edhe nga përplasje tjera brenda dy partive.
Aktualisht, pa një marrëveshje të qartë mes LDK-së dhe partive tjera, nuk dihet as se si do të duket përbërja e qeverisë së re.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në takimin e përbashkët dje me partitë politike, kërkoi nga qeveria e re, cilido të jetë mandatar i saj, që t’i kushtojë rëndësi përmbushjes së detyrave kryesore, parësore.
Kundër një qeverie të re tashmë ka dalë Vetëvendosje dhe disa individë brenda LDK-së. Vetëvendosje në rast të krijimit të qeverisë së re pritet që këtë çështje ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.