Lexues të nderuar, nga sot Gazeta Mejdani do të ju sjellë fejtonin mbi marrëdhëniet shqiptaro-turke. Fejtoni ka më shumë se 30 vazhdime. Në pjesën e fundit, do të sjellim bibliografinë dhe të dhënat rreth fejtonit.
Lexim të mbarë!
Pjesa e Parë!
Shumica e shqiptarëve, të cilët gjatë sovranitetit osman e bashkuan fatin e tyre me turqit për 500 vjet, e pranuan myslimanizmin dhe u shndërruan në një nga faktorët themelor të Shtetit Osman. Shqiptarët myslimanë u ngritën me lehtësi në funksione drejtuese dhe u njëjtësuan me shtetin. Kjo është edhe arsyeja që Perëndimorët i pranojnë shqiptarët për “turq”, kurse turqit i pranojnë shqiptarët si “bij të tokave të largëta të atdheut”.
Pas Luftës së Parë Ballkanike, më 28 nëntor 1912 shqiptarët shpallën pavarësinë. Duke u nisur edhe nga ndikimi që tashmë kishin humbur mbrojtjen dhe përkrahjen osmane, shqiptarët përballen në këto vite me pushtimet e shteteve fqinje. E ndërkohë që vazhdonte kjo situatë kaotike tokat e Anadollit dhe të Shqipërisë në marrëveshjet e fshehta të Luftës së Parë Botërore bëhen objekt i ndarjes së tyre ndërmjet Shteteve të Antantës. Pas Luftës (së Parë Botërore) Anadolli dhe Shqipëria pushtohen nga të njëjtët shtete imperialistë ose nga zgjatimet (mashat) e tyre. Turqit dhe shqiptarët, të cilët për pesë shekuj kishin ndarë të njëjtin fat, bashkëpunuan edhe në këtë periudhë plot dhimbje, duke nënshkruar madje edhe një marrëveshje sekrete.
Ky bashkëpunim turko-shqiptar që filloi me pushtimet e padrejta dhe arbitrare, me të cilat u përballën të dyja vendet pas Luftës së Parë Botërore, që nga vitet e para të pavarësimit vazhdoi në nivelin e marrëdhënieve politike. Këtë periudhë të vështirë, që përfshin vitet 1920-1923 ne do të mundohemi ta vlerësojmë duke u bazuar në dokumentet e arkivave turke e shqiptare, si dhe duke studiuar edhe shtypin e kohës. Pas këtij prezantimi të shkurtër mund ta fillojmë programin tonë radiofonik duke ju dhënë një informacion të përgjithshëm mbi shqiptarët.
Në përgjithësi të gjithë historianët janë të një mendimi se shqiptarët janë fisi (populli) i parë që janë vendosur në Ballkan. Vetëm se nuk ekziston një unitet mendimi se nga cila racë e kanë prejardhjen shqiptarët dhe nga kanë ardhur ata në Ballkan. Historianët turq dhe disa historianë shqiptarë pranojnë tezën që shqiptarët janë pasardhës të Pellazgëve dhe se kanë ardhur nga Kaukazi ose nga Azia. Ndërsa një pjesë e rëndësishme e historianëve shqiptarë tërheqin vëmendjen se ata janë një popull evropian dhe e kanë prejardhjen nga Ilirët. Atëherë le të japim edhe disa shembuj në lidhje me këto vlerësime të ndryshme të historianëve mbi shqiptarët.
Sipas Ahmet Hamdiut shqiptarët janë një fis që kanë ardhur në Gadishullin e Ballkanit nga Azia, madje shumë më herët se helenët e vjetër. Edhe pse nuk dihet saktësisht koha e ardhjes së shqiptarëve në Ballkan, që nga momenti që historia ka nisur të shkruhet e deri më sot ata njihen këtu si një popull dhe faktor aktiv, trim, luftëtar dhe i ndershëm. Të zotët e parë të Ballkanit janë shqiptarët, të mirënjohur me famën e Plakut, që nënkupton njeriun e moshuar dhe të mençur.
Sipas Sulejman Kylçes (Süleyman Külçe); një nga fiset që është dëbuar nga atdheu i tyre si pasojë e emigrimit drejt Evropës të hunëve dhe fiseve të tjera që pasuan hunët janë edhe Plasçlarët e Hungarisë, të cilët kanë prejardhje turke dhe përfaqësojnë Shqipërinë e sotme. Edhe Sami Frashëri pranon që shqiptarët e kanë prejardhjen nga Pellazgët, të cilët ndahen në katër degë, Ilirët, Maqedonët, Trakët dhe Frigët, dhe janë banorët më të vjetër të vendosur në Ballkan.
Kurse Enver Zija Karal tërheq vëmendjen se informacionet mbi prejardhjen e shqiptarëve janë kontradiktore. Karal thotë se shqiptarët kanë ardhur nga Albania e Kaukazit, pra nga zona e Dagistanit dhe kanë lidhje me një degë të vjetër të grekëve. Përveç kësaj Karal cilëson se disa historianë osmanë kanë gjetur dokumente, sipas të cilave shqiptarët kanë ardhur nga Arabia. Edhe M.Nexhati Ëzfatura (M.Necati Özfatura) është një nga ata që thotë se rrënjët e shqiptarëve janë në Malet e Kaukazit.
Sipas Shefqet Sureja Ajdemirit (Ş.Süreyya Aydemir) ekziston një opinion i gjerë se shqiptarët e kanë prejardhjen nga Pellazgët dhe këta të fundit (Pellazgët) janë të parët e grekëve. Pellazgët kanë emigruar nga Gjeorgjia dhe brigjet e Detit të Zi. Ajdemiri thotë se në Thesali ekzistojnë mbetje karakteristike të Pellazgëve dhe se shqiptarët janë nga banorët më të vjetër të Ballkanit.
Kurse sipas Prof. Dr. Shinasi Vardarermanit (Prof. Dr. Şinasi Vardarerman) shqiptarët janë banorët më të vjetër të Evropës Lindore. Shqiptarët kryesisht kanë jetuar në Gadishullin e Ballkanit, në Evropën Qendrore dhe në Azinë e Vogël. Pellazgët, që pranohen si të parët e tyre më të vjetër, në Evropë kanë ardhur nga stepat iraniane dhe Malet e Kaukazit. Ka edhe mendime që dalin kundër idesë se shqiptarët kanë ardhur nga Kaukazi dhe Azia Qendrore.
Nexhip Allpani pranon që shqiptarët vijnë nga Ilirët, banorët më të vjetër që janë vendosur në Gadishullin e Ballkanit. Kurse Mehdi Frashëri thotë se shqiptarët janë një racë evropiane dhe e kanë prejardhjen nga raca ariane ose indoevropiane. Sipas Frashërit Doktor Haani është personi që ka bërë më shumë studime mbi shqiptarët dhe ka vërtetuar që shqiptarët e sotëm janë pasardhës në vijë të drejtë të Pellazgëve. Me këtë mendim pajtohen edhe Luis Benolevi, Feliks Zhulieni dhe Sami Frashëri, studiues që kanë punuar shumë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sipas Mehdi Frashërit, Pellazgët, pra shqiptarët e vjetër, ndahen në katër grupe. 1-Ilirët: Këta kanë jetuar në një hapësirë gjeografike që fillon nga kufijtë e vjetër të Greqisë dhe shtrihet deri në veri të Adriatikut, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Dalmaci, pra jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë së sotme. 2-Maqedonët: këta janë banorët e vendosur në të gjithë Maqedoninë, duke filluar nga Malet e Sharrit dhe Pindeve e deri në Malet e Rodopit, kufizuar me Lumin Mesta (Karasu) e duke zbritur deri në Detin Egje, duke përfshirë, Selanikun, Manastirin, Shkupin dhe Serezin. 3-Trakët: Këta kanë jetuar në një zonë që përfshin Vilajetin e Edrenesë (sot Edirne), Bullgarinë e deri në Lumin e Danubit. 4-Frigët: Këta janë banorët që kanë jetuar në një zonë që fillon nga brigjet e Anadollit e deri në zonat e Ankarasë dhe Sivasit (Turqia e sotme). Këta kanë qenë degë të Pellazgëve, vetëm se Ilirët në aspektin e gjuhës dhe zakoneve kanë qenë më afër Maqedonëve, kurse Trakët kanë qenë më të afërt me Frigët.
Ka edhe nga ata që u afrohem me rezerva të gjitha këtyre të dhënave. Për shembull; Hasan Kaleshi thotë se teza që Ilirët kanë qenë të parët e shqiptarëve duhet parë me rezerva dhe këtë e argumenton me atë që shqiptarët nuk kanë pasur një traditë shteti dhe një trashëgimi kulturore të mirëfilltë; në lidhje me historinë e Ilirisë nuk ka legjenda dhe epope e epika popullore; nuk është gjetur një mbishkrim i vetëm i shkruar në gjuhën ilire dhe nuk kemi një organizim të kishës ilire.
Ndërsa disa historianë evropianë pretendojnë se shqiptarët janë një popull që në rajon kanë ardhur më vonë, duke e mbështetur këtë në faktin që fjalët “Shqipëri” dhe “Shqiptar”, që përdorin sot shqiptarët, nuk gjenden në burimet helene dhe romake të kësaj periudhe.
Vetëm se emri i parë i shqiptarëve Arban; (Ar=arë, ban=ai që bën) ka kuptimin ai që bën ara dhe në gjuhën shqipe përdoret në kontekstin e bujkut. Gjatë procesit historik kjo fjalë në latinisht përdoret në formën “Alban”, në gjuhën helene (greqishten e vjetër) “Arnavut” ose “Allvanos”, në turqisht, arabisht dhe gjuhët sllave përdoret në forma të ngjashme me fjalën “Arnavut”. Ndërsa fjala “Arbanit” për herë të parë vihet re në historinë bizantine. Kurse shprehja “Arnavutluk” (Shqipëri), që përdoret nga turqit, buron nga emri i qytetit “Albanopoli” (Albania) dhe në Shqipërinë qendrore gjendet edhe një krahinë me emrin “Arbëria”. Në ditët e sotme shqiptarët e thërrasin veten “Shqiptar”, që do të thotë “bijtë e shqiponjës”.
Si rrjedhim fjalët “Shqiptar” dhe “Albanit” janë shprehje që janë përdorur më vonë me kalimin e kohës dhe nuk mund të arrijmë në konkluzionin që shqiptarët në Ballkan kanë ardhur më vonë, duke parë vetëm historinë e këtyre fjalëve, siç pretendojnë disa historianë evropianë. Përveç kësaj gjuha shqipe, e cila është një dialekt i ilirishtes së vjetër, përbën gjuhën më të vjetër të folur të Evropës. Në dritën e këtyre informacioneve mund të thuhet që shqiptarët janë populli i parë i vendosur në Evropë.
Historia shqiptare fillon me historinë e Ilirisë dhe Epirit në shekullin e IV p.e.s. Në vitin 222 p.e.s. romakët fillojnë një luftë kundër Ilirëve dhe në vitin 168 p.e.s. Shkodra dhe Epiri bien në duart e romakëve. Brenda procesit historik shqiptarët nuk arritën të krijonin unitetin politik dhe veriu i Shqipërisë hyri nën sovranitetin sllav, kurse jugu mbeti nën sovranitetin bizantin. Para se të hynin nën sovranitetin osman shqiptarët jetonin brenda një sistemi feudal në formën e fiseve, klaneve e familjeve të mëdha. Në shekullin e 14-të, ne periudhën kur disa feudalë e bejlerë nisën përpjekjet për të krijuar principatat e tyre në Shqipëri, rregullat e normat që vendosi Lek Dukagjini, i cili kishte krijuar një principatë në zonën e Zadrimës në lindje të Lumit Drin, fillojnë e përdoren si ligji shqiptar i mbështetur në të drejtën zakonore.
Në shkrimin e radhës: Hyrja e shqiptarëve nën sovranitetin osman.
(Vijon)