Ish-deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se në VV përveç Albin Kurtit nuk ka dhe as nuk do të ketë kandidat tjetër për Kryeministër.
Ai këto komente i ka bërë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova duke shtuar se edhe kundërshtarët tjerë politikë e respektojnë kandidaturën e Kurtit për Kryeministër.
“Kemi punuar për këtë mundësi dhe gjithsesi se e kemi pritur si një mundësi të ndryshimit të kursit të shtetit dhe si një mundësi e shpëtimit nga një gjendje shumë e rēndë të krijuar në Kosovë”.
“VV nuk gjendet as në befasi dhe as e papërgatitur që vendi të shkojë në zgjedhjet e reja”.
“Është legjitime kureshtja se si do të bëhen koalicionet, por është më e rëndësishme që të ndodhë ndryshimi. Ne i kemi ofruar LDK-së mundësinë që ky ndryshim të ndodhë duke formuar koalicion parazgjedhor. Ne po shkojmë shumë sigurt drejt zgjedhjeve dhe drejt fitores së ardhshme”.
“Disa nga subjektet tjera politike e kanë përcaktuar se kush është kandidati i tyre, gjithashtu edhe VV-ja e ka përcaktuar. Deri më tani nuk kemi dëgjuar se cili është kandidati i LDK-së”.
“Sido që të jetë, ne e respektojmë qëndrimin e LDK-së e cila akoma nuk ka kthyer një përgjigje të saktë. Edhe nëse shkojmë pa koalicion në zgjedhje kjo nuk e ndryshon mundësinë për t’i fituar ato”.
“Deri më tani kandidaturën e Albin Kurtit për Kryeministër e kanë respektuar edhe kundërshtarët politikë. Kur të tjerët e respektojnë atë pse mos ta respektojmë ne? Për VV-në as nuk ka dhe as nuk pritet të këtë kandidat tjetër për Kryeministër”.
“Ne nuk heqim dorë nga ndryshimi. Ndryshimi do të thotë që pozita të shkojë në opozitë dhe opozita të shkojë në pozitë”.
Discussion about this post