Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur gjatë mesditës së sotme në qytetin e Gjilanit, ndërsa si pasojë ka humbur jetë një person.
Aksidenti ka ndodhur në rrugën”Halim Orana” në Gjilan, mes një veture dhe një motoçiklete, ku si pasojë e plagëve të marra, motoçiklisti ka ndërruar jetë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu.
“Personi ka ardhur në spital pa shenja jete. Ai do të dorëzohet tek mjekësia ligjore dhe ata që të merren me rastin”, tha Hajrullahu.
Ndërsa, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha se i aksidentuari tjetër është jashtë rrezikut për jetë.
“Sot, më 10 prill 2020 rreth orës 12:10 në Rr. ‘Halim Orana’ në Gjilan, ka ndodhur një aksident rrugor me fatalitet, ku i përfshirë ka qenë një automjet dhe një motoçikletë. Si pasojë e këtij aksidenti drejtuesi i motoçikletës (1995) dërgohet në Spitalin Rajonal të Gjilanit pa shenja jete sipas mjekut kujdestar”, tha Hashani për Telegrafin.
Ndërsa, për të aksidentuarin tjetër, Hashani tha se për momentin është jashtë rrezikut për jetë.
“Edhe drejtuesi i automjetit ‘Opel Corsa’ ka pësuar lëndime dhe për momentin është në kurim e sipër në spitalin e Gjilanit, por jashtë rrezikut për jetë. Policia e Kosovës njësitet e trafikut janë duke i udhëheq hetimet rreth këtij rasti të rëndë që na ka tronditë të gjithëve”, tha Hashani. /Gazeta Mejdani/