Që i vogël mendoja pse ishe i tillë, pse të duhej një shoqërues çdo herë? “Shko, po të thërret! Ndihmoje, kujdesu për axhën!”, e shumë fjalë të tjera më shtynin të dija se çfarë të kishte ndodhur.
Shkruan: Rashit Zylfiu, protagonist i kësaj historie
Ishte ditë vere. Hija e kishte freskuar ditën, e ty të gjeta të heshtur, kuptohet, kur nuk kishe afër shoqërues. Aq sa kisha kureshtje për të të pyetur, kisha turp se mos lëndoheshe apo historinë tënde të trishtë nuk kishe dëshirë ta tregoje.
Aq isha i turpëruar, sa humba krejtësisht, sepse isha shumë i vogël. Vetëm pak nga zëri im doli kur të pyeta:
-Axhë!
-Po, djali jem!
-A bën të pyes diçka?
-Po, me pyet nuk është marre, me vjedh është marre.
-Çfarë të ka ndodhur në jetë, ke lindur apo më vonë të ka ndodhur diçka?
-Jo, jo, nuk jam lind kështu, më vonë më pat ndodh. Kur isha i vogël, gjyshin tënd e mbytën, ka qenë duke punuar në ara. Ka ndodhur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Serbia i merrte njerëzit, disa i linte e disa i mbyste. Ne si fëmijë mbetëm pa babë. Nuk shkoi edhe një kohë, vdiq edhe nëna Naile. Mbetëm ne fëmijët, jetimë, pa babë e pa nënë. Unë isha më i madhi, më ra qielli përmbi kokë, se u desh me mbajt veten e familjen.
Në atë kohë ish fukarallëk, gjithë ajo punë veç për bukën e gojës me siguru, nëse e gjeje. Babai yt ishte më kokëfortë, ndonjëherë nuk më dëgjonte, por ishte punëtor. Ende pa i bërë dhjetë vjeç, pata shku me punu te një komshi. Në atë kohë shkonim e punonim arat e huaja.
Jeta ka qenë shumë e vështirë. Nejse, ju tash edhe s’e besoni, se nuk ju mungon asgjë, ka ndryshuar gjithçka, shyqyr Zotit. Nejse, ashtu për gazep, disi me mbet gjallë! Kur u rrita pak, u bënë do vjet, shkova në “Banat”. Në atë kohë shkonim për me punu punë krahu.
Aty punonim e flinim, që me bë ndonjë dinar e me e pru në shtëpi. Me një sabah po më thërret një shok: -Zgjohu more, se u bë dreka! Unë isha lodhë aq shumë, saqë një javë me më pas lënë, kisha fjetë. Herën e parë nuk e dëgjova. Dikur ai personi, që e kisha shok, më tha me nervozë: -A po zgjohesh apo shefi ka me të përzënë prej pune? U zgjova. Ajo ishte dita e fundit që kishte lindë dielli për mu e unë kisha mundësinë për me e pa, por ishte bë vonë sepse për mua nata atë ditë kishte ardhë para kohe. Shikimi, sytë mu kishin ndalë dhe unë kuptova se nuk do ta shihja kurë diellin me sy!”
Këtu filloi historia e axhës tim, që ishte dhe gjysh për ne sepse e donim shumë dhe na donte.
“Harrova dhe diçka. I thashë vetes: -A po do me jetu apo jo? Dhe vendosa të jetoja dhe të isha i kënaqur me atë që Zoti e kish shkru për mu”.
Më vonë axha im u martua dhe i lindën pesë fëmijë, të gjithë si molla e secili më i mirë se tjetri, por axha im asnjëherë nuk i pa sepse fati i jetës e kishte ngujuar në karantinën e errët për 50 vite.
Ai për 50 vite shijoi thënien tani të famshme: “RRI N’SHPI”, jo për të qëndruar, por për t’u privuar nga ngjyrat e jetës. Ai jetoi krenar pa iu nënshtruar askujt, punonte, dilte, ecte e vizitonte njerëzit.
Sa herë thoshte: “Kur Zoti të merr diçka, të jep tjetrën.” Ai komunikonte me botën aq bukur me detajet e saj, saqë ne që ishim syçelë pranë tij, nuk i vërenim. Ai e deshi jetën aq shumë, saqë nga jeta dëshironte edhe pesëmbëdhjetë vite që t’i përmbushte planet e tij, edhe pse kishte mbushur 79 vjeç.
Ai e pranoi moton “RRI N’SHPI”, që të mos bëhej barrë, as e familjes as e shoqërisë.
E, ti dhe unë për ca ditë mërzitemi nga jeta duke u ankuar e shpesh duke u rebeluar, edhe pse nuk na mungon asgjë. Pa dëshirën tonë duhet “TË RRIMË N’SHPI”, që të mos bëhemi nesër barrë e askujt. E, sa herë që mërzitemi, së paku të solidarizohemi me ata që jeta i ka ngujuar në karantinën e saj pa dëshirën e tyre.
Të jemi falënderues ndaj Zotit, ta pranojmë me kënaqësi atë që Zoti ka caktuar për ne.
Axha im, Isa Zylfiu, u nda nga jeta më 25.11.2014, pas një sëmundjeje të rëndë.
Më fal, që pa të pyetur ty e tregova historinë tënde!
Krenarë me ty që të patëm.
Zoti të mëshiroftë!