Ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë, gjegjësisht, vendimet e qeverisë në lidhje me shkarkim-emërimet në bordet e ndërmarrjeve publike, ma riaktualizuan në mendje një debat të gjerë dhe ende të papërfunduar në mesin e studiuesve të fushës së Adminstratës Publike, në lidhje me diktominë politikë-administratë, si preventivë ndaj korruptimit të zyrtarëve shtetëror dhe abuzimit me politikat publike.
Shkruan: Feston Hajdini (PhD Administratë Publike)
Ishte e nevojshme të kalonte një kohë prej gati dy dekadash që opinioni i gjerë publik në Kosovë, të dëshmoj një diskurs kaq të ,,ashpër” dhe të menjëhershëm mbi emërimet në borde dhe institucione të tjera publike mbi baza partiake. Dhe kjo –edhe pse me vonesë – përbën një reagim dhe zhvillim pozitiv në vetëdijen qytetare. Mirëpo, bashkë me të, natyrshëm vijnë edhe disa pyetje! Pse botëkuptimi se ,,emërimi në borde publike i personave mbi baza partiake, në mënyrë automatike, ka për pasojë korruptimin dhe kapjen e shtetit”, është zhvilluar ndjeshëm vetëm në 4-5 vitet e fundit, ndërsa, dihet se kjo praktikë ka filluar që me themelimin e Institucioneve të Përkohshme Vetqeverisëse të Kosovës? Pse nuk është reaguar kaq fuqishëm më herët?
Përgjigjja në këto pyetje, mendoj, kërkon shqyrtimin dhe nxjerrjen në pah të dallimit në mes të dy çështjeve paraprakisht. E para, emërimi në borde jashtëligjshëm, pra, në kundërshtim me procedurat e parapara me ligj, dhe, e dyta, veprimtaria e pastajshme (korruptive) e të emëruarve në këto borde. Të dyja këto janë në kundërshtim me ligjin por nuk janë të njëjta dhe nuk mund të emërtohen me të njëjtin emërtim. Kjo sepse, e para paraqet nepotizëm, kurse, e dyta paraqet korrupsion dhe kapje të shetit. Pra, në parim, edhe pse emërimi në borde në kundërshtim me dispozitat ligjore përbën veprim të jashtëligjshëm, ai mund të quhet nepotizëm por jo korrupsion apo kapje e shtetit. Korrupsioni mund të shfaqet ose jo më pas. Prandaj, duke mos e bërë këtë dallim në mes të këtyre dy fenomeneve që, kanë lidhje njëra me tjetrën por janë të ndryshme, në raport me ngjarjet në fjalë, vërejmë dy grupe me qëndrime të kundërta dhe krejtësisht militantiste. Njëri grup i mbështet parezervë, ndërsa, i dyti i quan kapje të shtetit paqenë të tilla.
Ndërsa, që emërimi i anëtarëve të një bordi t’i atribuohet një partie të caktuar si tentim për kapje të shtetit, është e nevojshme, paraprakisht, të kuptohen dhe të dallohen rrafshet ose dimensionet e korrupsionit brenda një bordi të një ndërmarrjeje publike ose një institucioni publik në përgjithësi. Ekzistojnë së paku tri rrafshe kryesore në të cilat shfaqet korrupsioni në një bord apo ndërmarrje: rrafshi i parë, është vjedhja e parasë brenda institucionit përmes praktikave të ndryshme; rrafshi i dytë është mungesa e përformancës, e cila e çon ndërmarrjen drejt bankrotimit; dhe rrafshi i tretë, është kontrollimi i konkurseve të punësimit dhe rrjedhimisht sistemimi i personave me lidhje, qoftë drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë, me partinë ose partitë në pushtet. Të gjitha këto si shlyerje borxhi ndaj emërimit!
Prandaj, emërimet në borde apo institucione të tjera publike të anëtarëve të partisë ose personave të tjerë me ndonjë lidhje tjetër me partinë ose partitë në pushtet, paraqet ose përbën korruptim nominal, nëse veprimet dhe pasojat në vijim të atij bordi nuk përbëjnë praktikë korruptive. Acarimi i opinonit publik në lidhje me emërimet në borde publike në Kosovë, ka ardhur si pasojë e keqpërdorimit masiv dhe spektakolar të parasë publike dhe keqmenaxhimit deri në atë pikë sa të rrezikohet ekzistenca e tyre, e nuk ka ardhur a priori për shkak të përkatësisë politike të anëtarëve të bordeve.
Me fjalë të tjera, bordet dhe anëtarët e tyre të deritanishëm janë quajtur (dhe do të quhen) të korruptuar dhe të politizuar atëherë kur emërimi i tyre e prodhon korruptimin në të tre rrafshet apo në ndonjëren prej tyre. Rrjedhimisht, edhe partitë në pushtet, të cilat i emërojnë njerëzit e vet, në një rast të tillë, nuk kanë imunitet nga cilësimi si ‘kapse’ të institucioneve shtetërore. Pra, emërimi i anëtarëve partiak ose ngjashëm në borde të caktuara, në parim, nuk mund t’i atribuohet një subjekti të caktuar si tentim për kapje të shtetit. Është (keq) menaxhimi që do ta bëjë ai grup (bord) i të emëruarve ai i cili e vërteton nëse bëhet fjalë për kapje të shtetit apo jo. Deri me tani, qeveria Kurti, pra LVV, ka përmbushur kushtin e parë pjesërisht, atë të emërimit jashtëligjshëm, ndërsa mbetet të shihet nëse do ta përmbush edhe kushtin e dytë dhe atëherë ta meritoj akuzën për kapje të shtetit. Kjo sa i përket LVV-së, ndërsa, partitë që kanë qenë në pushtet deri më tani, i kanë të përmbushura të dyjat.
I vetëdijshëm se, trajtimi i një teme të tillë në rrethanat delikate në të cilat janë duke ndodhur ngjarjet e sipërfolura, dikujt mund t’i jep përshtypjen e një shkrimi me konotacion politik, si një studiues në formim e sipër në fushën e Administratës Publike, tërheq vërejtjen paraprakisht se, si autor i këtij shkrimi, vazhdojë ta ruaj profesionalizmin, objektivitetin dhe paanësinë politike –si parime në të cilat nuk lejojë kompromis – në të gjitha trajtesat e mia, dhe se, edhe kjo trajtesë fillim e mbarim është pikëpamje e imja personale mbi bazën e njohurive shkencore në këtë disiplinë. Kjo shkoqitje në mes të nepotizmit në njëren anë, dhe korrupsionit dhe kapjes së shtetit në anën tjetër, në planin personal prej studiuesi, do të vlejë edhe në të ardhmën dhe për të gjitha partitë dhe qeveritë.