Nga tani e tutje, deri në orën 16:00 qytetarët e Kosovës e kanë të ndaluar të dalin jashtë shtëpive të tyre e të lëvizin.
Krejt kjo në bazë të masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër përhapjes së koronavirusit, shkruan lajmi.net.
Qarkullimi do të jetë i ndalur po ashtu edhe nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit.
“Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Sidoqoftë, një vendim i tillë është konsideruar kundër Kushtetutës nga presidenti Thaçi, kreu i LDK-së, Isa Mustafa e shumë personalitete politike në Kosovë.
Presidenti i vendit ka bërë të ditur se vendimin në fjalë do ta dërgojë në Kushtetuese teksa ka thënë po ashtu se qytetarët e Kosovës nuk janë të obliguar ta respektojnë vendimin në fjalë.