Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në bashkëpunim me grupet parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, i kanë dorëzuar sot Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës mocionin për interpelancë me ministrin e Integrimit Evropian, z. Blerim Reka, thuhet në njoftim të AAK-së, transmeton IndeksOnline.
Kërkesa për shkarkimin e ministrit Reka, siç theksohet përmes kësaj komunikate ka të bëjë me deklaratën e ministrit, i cili teksa fliste për marrëveshjen finale të Republikës së Kosovës me Serbinë, propozoi që asaj t’i jepet korridori transit për dalje në detin Adriatik përmes Kosovës.
Sipas AAK-së dhe grupeve të tjera parlamentare, që kanë mbështetur këtë nismë, thuhet se deklarata e Rekës është antikushtetuese, “prandaj në këtë interpelancë do të votohet një rezolutë përmes së cilës do të kërkohet shkarkimi i tij nga pozita e ministrit për Integrimin Evropian”, përfundon komunikata. /IndeksOnline/