Raportet e ftohta, shumë herë të acaruara dhe konfliktuoze mes Turqisë dhe Sirisë datojnë që nga koha e Hafez el-Asadit, babait të presidentit të tanishëm të Sirisë, Bashar el-Asadit.
Shkruan: Mustafa Bajrami
Siria e saj kohe i kishte shpallur armiqësi Turqisë dhe e kritikonte ashpër, pse Turqia e kishte njohur Izraelin si shtet të pavarur. Në anën tjetër, Turqia me të njëjtën masë kritikonte Sirinë dhe e konsideronte strofull të terrorizmit, pse Siria i mbante militantët e PKK-së kurde, i trajnonte atje dhe u furnizonte me çdo gjë që u nevojitej për ta luftuar Turqinë.
Deri në vitet e 90, atëherë kur unë po vazhdoja studimet pos-diplomatike në Turqi, gazetat dhe televizionet turke në njërën anë, a në anën tjetër ato të Sirisë, shkruanin e flisnin për njëra tjetrën me gjuhën më të ashpër të mundshme. Lirisht mund të them se ashpërsia e gjuhës së atëhershme ishte e nivelit të gjuhëve të përdorura mes palestinezëve dhe izraelitëve, apo, mes shqiptarëve dhe serbëve në kohën e armiqësisë së hapur mes neve dhe Serbisë.
Me ardhjen e Bashar el-Asadit në pushtet kjo gjuhë sadopak filloi të zbutej. E sidomos u zbut pas fitores së AKP-së dhe ardhjes së Erdoganit në krye të qeverisë turke.
Përpjekja e qeverisë së AKP-së që të krijojë kushte të përshtatshme për një paqe në jug-lindje të Turqisë, posaçërisht me kurdët e Irakut dhe të Sirisë, deri diku pati suksese. Megjithatë, pas shtatë vjetë përpjekje, dhe pas arritjes së disa rezultateve të dukshme, PKK-ja serish mori armët në duar dhe filloi sulmet terroriste mbi popullatën civile në Turqi dhe në disa vende të ndryshme të botës.
Paqja e arritur kohë më parë, u prish. Turqia filloi ndjekjen e PKK-së. Iraku i dëboi militantët kurdë dhe shtriu dorën e pajtimit Ankarasë zyrtare. Turqia, nga ana e saj, nuk e pengoi krijimin e një zone kurde gjysmë të pavarur në Veri të Irakut. Në këtë kohë, regjimi i Bashar el-Asadit shprehu gatishmërinë t’i pranojë militantët e PKK-së dhe i akomodoi në tokën e Sirisë. Nga aty stërviteshin dhe prej andej dilnin në aksione terroriste, mbase, kësaj radhe shumë më të përgjakshme se kurdoherë më parë
Siria sërish filloi mbështetjen e PKK_në kurdë. Gjuha mes Turqisë dhe Sirisë prapë filloi të ashpërsohet. Në Lindje të Mesme u paraqitën probleme të reja, ndërsa Siria sërish u bë vendi që prodhonte problemet më serioze në tri dekadat e fundit.
Gjuha e dikurshme e ashpër mes Sirisë dhe Turqisë, e cila për një kohë ishte qetësuar, tani më ka marrë dimensione krejtësisht tjera. Ajo gjuhë më ka vdekur. Atë e ka zëvendësuar gjuha e dy ushtrive.
Kthim prapa më nuk ka.
Turqia po bënë atë që kishte paralajmëruar për të disatën herë: Po nuk e ndali Siria mbështetjen ndaj PKK-së, dhe së fundmi, po nuk i ndali sulmet mbi popullatën civile në Veri të Sirisë, Turqia do t’i përgjigjet me gjuhën e saj më të ashpër.
Vrasja në pabesi e 33 ushtarëve turq në Idlib nga ana e regjimit të Asadit, është fillimi i përfundimit të regjimit gjakatarë të Sirisë, dhe përfundimi i përpjekjeve që me gjuhën diplomatike të zgjidhen problemet mes dy vendeve.