Pesë vende pune lexova që i paska mbajtur kryetarja e Bordit të Telekomit, deri ditën kur me vendim të Qeverisë së re ajo dhe “emisarët” e tjerë partiakë u shkarkuan.
Shkruan: Elmaz Isufi
Njërin nga to e paska vend pune të rregullt për afro 11 vjet jo në këtë ndërmarrje, por në KEK, një tjetër institucion po ashtu i kapur. Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, përveç dy pagave në kompanitë publike, dy të tjerat ajo i ka marrë nga kompanitë private dhe një pagë nga një organizatë joqeveritare.
Mbajtja e dy, tre, katër… e edhe shtatë vendeve pune nuk është se përbën më kuriozitet. Në vendin e kontrasteve është vështirë t’i besosh, jo gënjeshtrës, por të vërtetës.
Kapja e shtetit si term nuk është se ka histori të gjatë.
Ky nocion është shfaqur në literaturën shkencore diku 20 vjet më parë, si përgjigje ndaj proceseve për të cilat nuk kishte shpjegim fjalori klasik i shkencave politike.
Përdoret më shumë si gjetje për mënyrën se si qeveriset një vend dhe për shkallën e degradimit dhe paaftësisë të sistemit të drejtësisë për t’u përballur me aktivitetet e paligjshme.
Shkencëtari amerikan Joel Hellman kapjen e interpreton përtej atij që njihet si korrupsion administrativ. Ryshfeti dhe nepotizmi thotë se janë në të njëjtën linjë me shmangien e pagesës së taksave. Ndërsa kapja e shtetit, sipas tij, ka të bëjë kryesisht me ndërhyrjet e grupeve joformale në sistemin e qeverisjes (ministritë, gjyqësorin…) – në mosndryshimin e ligjeve që prekin interesat e grupit, ose në rastin e kundërt ndryshimin e tyre me qëllim të favorizimit të të njëjtëve.
Studiuesit shfaqen korrektë në interpretimet e tyre. Ata lënë të hapur mundësinë e përkufizimit ndryshe të këtij fenomeni negativ. Shprehen të vetëdijshëm se proceset shoqërore nuk janë statike dhe se konteksti politik, gjeografik, historik …, ndryshon nga vendi në vend.
Kosova mbase nuk ka qenë objekt studimi i tyre. Përndryshe do t’u duhej ose të korrigjonin thelbin e përkufizimit ose të kërkonin një term tjetër të përshtatshëm për nivelin e kapjes së shtetit.
Në Kosovë nuk bëhet më fjalë për veprime të sofistikuara në përshtatjen e ligjeve për favorizim të individëve dhe grupeve të interesit. Në Kosovë rolin e grupeve joformale, e për të cilët shkenca thotë se e kapin shtetin, e luan pushteti. Të gjitha partitë politike që kanë hise në pushtetet e deritashme, në fakt drejtohen nga oligarkë dhe grupe interesi. Të gjitha veprimet e dëmshme ato i kanë ndërmarrë hapur, duke shkelur mbi ligjet, duke shpërfillur procedurat. Pra, në Kosovë pushteti nuk e ka kapur shtetin duke instrumentalizuar përmbajtjet e ligjeve. Ai ka qenë mbi ligjin.
Arsyet e pranimit apo mospranimit të kapjes së shtetit e kanë zanafillën e tyre në kohëzgjatjen e proceseve transitore, në mentalitetin dhe kulturën politike të një shoqërie. Por, pavarësisht pranisë së madhe të këtij problemi, i rëndësishëm është reagimi i shoqërisë civile dhe mediave. Disa kauza për shkak të presionit ose janë bllokuar, ose janë rishikuar edhe kur vendi qeverisej nga “piratët”. Qytetarët ua dhanë përgjigjen kapësve të shtetit (edhe pse jo mjaftueshëm) në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ndërsa frustrimi i tyre është ende i lartë – ata kërkojnë që Qeveria e re jo vetëm të pastrojë “bërllokun”, por të gjithë ata që vepruan kundërligjshëm të përballen me drejtësinë. Në të kundërtën, nëse vetëm konstatojmë dëmet dhe ndërrojmë aktorët, shanset janë që i njëjti model i të rezonuarit në politikë të na rikthehet sërish në skenë. Pra, se nuk kemi çkapje të shtetit, por ndërrim pushteti.
Një mik, që nuk di nëse është i punësuar ende në institucionet qeveritare dhe që mburrej për “pastërti” në ushtrimin e detyrave të tij, nja dhjetë vjet më parë na pati përgëzuar për punën që po bën gazeta në demaskimin e të këqijave në sistem. Por, për të, nga perspektiva e njeriut që vepron brenda dhe sheh tërë maskarallëkun, kjo ishte pak.
“Nuk mundeni me marrë me mend çfarë bëhet në institucione – ju gazetarët as dy për qind nuk mbërrini me i denoncu skandalet, vjedhjet, punësimet familjare, tenderët e paligjshëm,…”.
Kishte të drejtë. As ne e as të gjitha mediat sikur të bëheshin një nuk do të mund të monitoronin të gjitha veprimet institucionale. Me mijëra procedura prokurimi, punësime, avancime, regjistrime në shkolla e universitete, grante e subvencione… zhvillohen gjatë një viti.
Por, do të ishim mrekulluar sikur, nëse jo më shumë, të paktën këtë dypërqindëshin e bërë publik institucionet e drejtësisë ta interpretonin drejt.