Pas aderimit në Lëvizjen Vetëvendosje, Sabri Kiçmari, ka ftuar intelektualët, ushtarët e UÇK-së, mërgimtarët dhe të rinjtë, të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, që t’i bashkohen për të bërë ndryshimin.
Kiçmari, pasi ka përshkruar rrugëtimin e deritashëm politik, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “duke e ndjerë peshën e përgjegjësisë si intelektual, diplomat dhe veprimtar, vendosa që të ndihmoj në kthimin e shpresës në shtetin tonë të krijuar me gjak dhe mund. Dhe, nuk kisha asnjë dilemë se Lëvizja Vetëvendosje! është adresa e duhur politike, për të kthyer etikën në politikë, racionalizmin në veprime dhe shpresën për të ardhmen”.
Postimi i plotë i Kiçmarit:
“Kam qenë vetëm 14 vjeçar, kur për herë të parë në tetor të vitit 1981 jam arrestuar, bashkë me një grup shokësh, sepse patëm shkruar parullën “Kosova Republikë!“ Në shtator të vitit 1988 arrita t’i shmangem arrestimit të sërishëm dhe bashkë më shumë shoqe dhe shokë të nderuar vazhduam për të shtyrë më tej idenë e Republikës së Kosovës. Deri në gusht të vitit 1989, kur kam dalur jashtë vendit, kam qëndruar, jam strehuar, ushqyer dhe mbrojtur nëpër shtëpitë e shumta të popullit për të forcuar rezistencën kundër pushtimit.
Janë qindra demonstrata, tubime e manifestime në Gjermani dhe anë e kënd Evropës, në vitet 1989-1999, të cilat i kemi organizuar bashkë me shumë bashkëveprimtarë në përpjekjet tona për liri dhe pavarësi. Si përfaqësues diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jam munduar ta përcjellë me zell të madh fjalën e luftëtarëve të lirisë nëpër kancelaritë perëndimore. Pas luftës (në vitet 2000-2005) u largova nga politika për t’ju përkushtuar shkencës në Universitetin e Bonit në Gjermani. Mendova se ka ardhur koha e profesionalizmit politik.
Pak muaj pas shpalljes së Republikës së Kosovës mora mbi supe barrën e përgjegjësisë për të përfaqësuar Republikën e Kosovës si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Austri (2008-2013) dhe Australi (2013-2018). Kur u ktheva vitin e kaluar në Kosovë, pas dhjetë vitesh shërbimi si ambasador, arrita të konstatoja një zhgënjim të madh të qytetarëve. Duke e ndjerë peshën e përgjegjësisë si intelektual, diplomat dhe veprimtar, vendosa që të ndihmoj në kthimin e shpresës në shtetin tonë të krijuar me gjak dhe mund. Dhe, nuk kisha asnjë dilemë se Lëvizja Vetëvendosje! është adresa e duhur politike, për të kthyer etikën në politikë, racionalizmin në veprime dhe shpresën për të ardhmen.
E falenderoj mikun tim Albin Kurti, komunikimi miqësor dhe korrekt me të cilin daton që nga koha e luftës, dhe një numër të konsiderueshëm kuadrosh të Vetëvendosjes, me të cilët kam biseduar dhe përimtuar idetë, që më kanë bindur se pikëpmajet e mia politike përputhen plotësisht me programin e Lëvizjes Vetëvendosje!
I ftoj intelektualët, ushtarët e UÇK-së, mërgimtarët dhe të rinjtë, të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, që t`na bashkohen për të bërë ndryshimin. Është koha dhe momenti i volitshëm që vendi ynë të marrë kthesën në drejtimin e duhur, drejt shtetit të së drejtës, barazisë sociale dhe integrimit në strukturat evro-atlantike”, ka shkruar Kiçmari.
Nga ana tjetër, edhe Albin Kurti ka konfirmuar aderimin e ambasadorit Kiçmari në VV. Në një portim të tij në Facebook, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka shkruar:
Sabri Kiçmari ka qenë gjithnjë në Lëvizje. Prej sot është edhe në VETËVENDOSJE!. Ky është lajm shumë i mirë për subjektin tonë, shtetin tonë dhe kombin tonë. Për më shumë se një dekadë veprimtar i çështjes kombëtare para se të bëhet përfaqësues politik i UÇK-së. Edhe plot një dekadë tjetër diplomat i dalluar i Republikës së Kosovës, ambasador në Austri, Australi e Zelandë të Re. Ndërkohë autor i pesë librave, dy prej tyre në gjermanisht, dhe i një dyzine artikujsh nëpër revista të ndryshme shkencore.
Sabri Kiçmari është profesor në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Studimet bazë (Grundstudium) i ka mbaruar në Universitetin e Ruhrit në Bochum (Gjermani), Magjistraturën (Magister Artium) në Fakultetin Filozofik të Universitetit Rheinische Friedrich-Ëilhelm në Bon (Gjermani), kurse Disertacionin (Ph.D.) në Institutin për Shkencë Politike dhe Sociologji po ashtu të Universitetit Rheinische Friedrich-Ëilhelm në Bon. Është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, sidomos në Gjermani dhe Austri.
Sabriu është me prejardhje nga Llapi, shkollimin fillor e ka mbaruar në Lladoc, Sfeçël, Podujevë dhe Llapashticë, ndërkaq shkollimin e mesëm në Podujevë dhe Prishtinë.
Sot jemi forcuar dukshëm.
Nesër do të fitojmë bindshëm. Sepse pasnesër do të qeverisim mirë.
Gazeta Mejdani
Discussion about this post