Vendime për shkarkime janë marrë nga Qeveria Kurti në ditët e para të qeverisjes.
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë të mbajtur të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori vendim për shkarkimin e Bordit të Telekomit dhe shkarkimin e sekretarëve të Ministrive.
Dy ditë më pas, ministri i punëve të jashtme, Glauk Konjufca, mori vendim për shkarkimin e 14 konsujve nëpër ambasada të Kosovës në vende të ndryshme të botës.
Shumë prej personave që ishin pjesë e Bordit të Telekomit dhe konsujt kishin lidhje me politikanë të partive politike që kanë qenë në pushtet deri tani.
Se sa ishte i drejtë shkarkimi i tyre dhe sa ka shpresë që të emëruarit e ri në pozitat e caktuara të jenë persona të duhur për ato pozita dhe që nuk kanë të bëjnë me partitë në pushtet, për gazetën “Bota sot” kanë folur njohës të çështjeve politike.
Tahiri: Qeveria Kurti është edhe e mandatuar për të bërë ndryshime
Politologu Ramush Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti është e mandatuar për të bërë ndryshime edhe në mekanizmat tjerë.
“Qeveria Kurti është edhe e mandatuar për të bërë ndryshime duke marrë parasysh se asnjëra nga partitë që ishin në pushtet në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare nuk doli as e para e as e dyta por Qeveria me kryeministër Albin Kurti u krijua në koalicionin VV-LDK, pra partitë që ishin në opozitë. Për këtë nuk ndryshon vetëm Qeveria por edhe të gjithë mekanizmat e tjerë që janë të ndërlidhur me ketë”, është shprehur ai.
Tahiri thotë se në të kaluarën fatkeqësisht emërimet ishin bërë me kritere e merita joprofesionale.
“Fatkeqësisht në Kosovë në të kaluarën me një kriter të meritokracisë partiake ishte bërë ndarja dhe përzgjedhja e pushtetit dhe ajo që opozita kritike e quante kapja e shtetit. Qeveria Kurti po i suspendon, po i pezullon dhe po i shkarkon të gjithë ata bartës të ish pushtetit që u emëruan ose u zgjodhën më herët nëkritere e merita joprofesionale”, ka vlerësuar politologu.
Sa i përket shkarkimeve të sekretarëve të ministrive, Bordit të Telekomit dhe konsujve nëpër Ambasada, ai vlerëson se po pritën mirë dhe pritjet janë që emërimet e reja të bëhen në kritere profesionale.
“Disa nga pozitat e sekretarëve të përhershëm u pezulluan se u shuan ministritë dhe nga 21 mbetën 15. Bordet u shkarkuan në një varg ndërmarrjesh publike sepse edhe Qeveria Haradinaj i kishte përzgjedhur pas shkarkimit të bordeve të mëhershme. Një spastrim po bëhet edhe në MPJ me shkarkimin e konsujve të Republikës së Kosovës e do të vazhdohet me ambasadorë dhe me personel të tjetër që u emëruan si politik duke qenë militantë partiakë. Këto masa po priten mirë dhe po përkrahen nga qytetarët në politikën e vendosjes së ligjshmërisë e kushtetutshmërisë dhe sigurisht që pritjet janë që emërimet dhe zgjedhjet në këto pozita të bëhen në kritere profesionale duke u vënë në funksion të shtetit dhe jo të partisë dhe të klaneve oligarkike e klienteliste”, ka deklaruar RamushTahiri për “Bota sot”.