I Dërguar i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka folur për dy marrëveshjet e arritura ditë më parë mes Kosovës dhe Serbisë në Berlin.
Grenell thënë se pavarësisht progresit të bërë, rruga drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi është e gjatë.
Në një intervistë për HughHewitt, Grenell ka thënë se synimi i vërtetë i Trumpit është të shfrytëzojë ekonominë për t’i çuar përpara proceset politike.
“Kur presidenti Trump më kërkoi ta vërtetoja nëse liderët e Kosovës dhe Serbisë ishin të interesuar për të arritur ndonjë lloj marrëveshje, unë i nisa bisedimet. Takimi im i parë ka qenë me komunitetin e biznesit nga dy palët dhe ajo çfarë kam zbuluar është që ata vërtetë dëshironin t’i normalizonin marrëdhëniet në rrafshin ekonomik. Dhe kështu krijuam synimin për mënyrën se si ta normalizojmë tregun. Ajo çfarë kuptuam ishte që të normalizoheshin linja ajrore dhe hekurudhat. Ne donim që të kishin një fluturim të parë Prishtinë-Beograd pas 21 vjetësh. Kështu që e filluam punën për një gjë të tillë dhe ishim në gjendje të arrinim një marrëveshje. Synimi i vërtetë i Trumpit është të shfrytëzojë ekonominë për t’i çuar përpara proceset politike”, ka thënë Grenell.
Po ashtu Grenell ka thënë se pas takimeve që ka pasur në Kosovë dhe Serbi ka parë që palët dëshirojnë normalizim të marrëdhënieve në rrafshin ekonomik.
Ai tutje thotë se po përpiqen t’i shtyjnë palët të pajtohen, “dhe t’i themi presidentit Vuçiq, Thaçi dhe Albin Kurti, se a e keni vullnetin politik për të ecur përpara, për të krijuar vende punë për të rinjtë dhe për ta ndryshuar ekonominë”.“Por mendoj, në stil tipik të administratës së Donald Trump, ne po i shtyjmë palët që të pajtohen, dhe po përpiqemi të mos kemi këtë lloj ideje amerikane që është e importuar, por t’i themi presidentit Vuçiq, Thaçi dhe Albin Kurti, se a e keni vullnetin politik për të ecur përpara, për të krijuar vende punë për të rinjtë dhe për ta ndryshuar ekonominë? Dhe mendoj që përgjigja është po, edhe pse situata politike është e vështirë. Unë vazhdoj të iu them palëve ne po përpiqemi të koncentrohemi në ekonomi dhe do të provojmë të krijojmë vende pune për të rinjtë në mënyrë që ata të mos largohen nga rajoni. T’i lëmë më një anë problemet politike derisa ta krijojmë një momentum në ekonomi”, ka thënë tutje Grenell.