Kongresmeni amerikan Eliot Engel, që është edhe kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, ka thënë se e ardhmja e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e paqartë.
Engel në një letër që i ka nisur kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifit, ka shkruar se e ardhmja për e bisedimeve për normalizimin midis Prishtinës dhe Beogradit mbetet e paqartë.
Ai shton se çfarëdo marrëveshje që arrihet duhet të ketë parasysh edhe të drejtat e shqiptarëve në Preshevë.
“Edhe pse e ardhmja e bisedimeve për normalizim midis Beogradit dhe Prishtinës mbetet e paqartë, është e domosdoshme që çdo marrëveshje përfundimtare të marrë parasysh të drejtat e shqiptarëve etnikë dhe të adresojë mundësitë për rritje ekonomike në Preshevë”, shkruan Engel, derisa thotë se personalisht do të angazhohet për të drejtat e banorëve të këtij regjioni.
Për të diskutuar për këtë çështje, Engel e ka ftuar Arifin në Washington.