Kuvendi i Republikës së Kosovës më 3 shkurt votoi Qeverinë Kurti në një seancë, që ka zgjatur rreth shtatë orë, vetëm një ditë pasi u arrit marrëveshja për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas më shumë se dy muaj nga certifikimi i rezultateve, ku u vendos që Qeveria Kurti do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.
Në postin e ministres së Arsimit të Shkencës e Teknologjisë është emëruar Hykmete Bajrami, të cilën e presin dhjetë pikat kryesore të programit për arsim të Qeverisë Kurti për t’i realizuar.
Megjithëse, programi qeverisës nuk është publikuar i detajuar, sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci nga Qendra për Arsim e Kosovës gjatë 100-ditëshit të parë të qeverisjes, ky program do të konkretizohet e po ashtu do të përcaktohen veprimet konkrete që do të ndërmarrë ministria për të përmirësuar gjendjen në arsim.
“Në formën në të cilën është publikuar, Programi është mjaft i përgjithësuar, por besoj se gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes do të konkretizohet dhe do të përcaktohen veprimet konkrete që do të ndërmirren për sanimin e gjendjes në arsim”, shprehet Popovci.
Duke marrë parasysh pikat e paraqitura në programin qeverisës, Popovci thotë se ka disa probleme që kërkojnë të zgjidhen e që nuk janë të përfshira në programin e publikuar.
“Kuptohet, ka disa gjëra që nuk i gjejmë në 10 pikat e programit, por që mund të dalin në pah pas zbërthimit të mëtutjeshëm të programit, për shembull, çfarë do të bëj Qeveria me universitetet publike të cilat nuk po ja dalin t’i plotësojnë kërkesat për akreditim; si do të adresohet problemi i shkollave me numër të vogël të nxënësve ose paralele të kombinuara; si do të përmirësohen shkathtësitë e leximit në kushtet kur 79% të fëmijëve nuk e plotësojnë standardin minimal në këtë fushë”, thotë Popovci.
Popovci thotë se mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies është problemi kryesor në arsim në Republikën e Kosovës.
Sipas tij shumë strategji e programe të aprovuara në nivelin e lartë qeveritar nuk zbatohen, ndërsa problem e sheh edhe ndërhyrjen e politikës në arsim e cila thotë se është e dëmshme.
“Mendoj se problemi kryesor në sistemin arsimor të Kosovës është mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies që pastaj ka efekt në të gjitha fushat. Në nivelin më të lartë qeveritar, aprovohen strategji dhe programe, të cilat pastaj nuk zbatohen. Ose bëhen ndërhyrje politike që i shkaktojnë dëm arsimit, siç ishte rasti i përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit nga EQAR dhe askush nuk jep llogari për këtë punë”, tha Popovci për Telegrafin.
Nga ministrja e re e Arsimit, Hykmete Bajrami një numër kërkesash i kanë edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë.
Në një përgjigje për Telegrafin, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë që ata fillimisht do të kërkojnë që të kenë komunikim e dialog të sinqertë me ministren, në mënyrë që bashkërisht pastaj të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre.
“Kërkesë e parë është që të kemi komunikim dhe dialog të sinqertë. Kur ka dialog dhe angazhim të përbashkët për të gjetur zgjidhje në kërkesat e shtruara , atëherë edhe mundësitë për të gjetur zgjidhje janë më të mëdha”, tha Jasharaj.
Jasharaj tha se i kanë përcjellë me vëmendje premtimet gjatë fushatës zgjedhore, por se nuk i besojnë premtimeve pasi që kur krijohen institucionet ato premtime asnjëherë nuk jaën plotësuar.
“Në nuk bazohemi shumë në deklarata e programe të prezantuara në fushatë. Të gjithë e kanë thënë se arsimin e kanë prioritet, por kur krijoheshin institucionet kjo edhe nuk dilte të jetë ashtu. SBASHK-u vlerëson angazhimet konkrete dhe do ta ketë përkrahjen tonë ai që vërtetë e do dhe angazhohet për arsimin në Kosovë dhe për të punësuarit në ketë sektor të rëndësishëm”, u shpreh Jasharaj.
SBASHK-u po ashtu ka një listë kërkesash për puntorët e arsimit, njëra ndër të cilat çështje është edhe për punëtorët e sëmurë për të cilën SBASHK ka kërkuar zgjidhje vazhdimisht nga MASHT-i.
“Një çështje që duhet zgjidhur, e për çka SBASHK-u vazhdimisht e ka ngritur te Ministria, është punëtorët e sëmurë rëndë në arsim, numri i të cilëve është më shumë se 200. SBASHK-u ka ofruar zgjidhje pa u dashur mjete shtesë nga buxheti i Kosovës, por deri tani nuk është bërë gjë për këta njerëz , që meritojnë respekt dhe zgjidhje të pranueshme sepse ata këtë fat të keq të jetës nuk e kanë zgjedhur vet”, thotë Jasharaj.
Popovci dhe Jasharaj pajtohen se ministrja e Arsimit duhet ta filloj punën duke përmirësuar gjendjen brenda Ministrisë së saj.
Popovci thotë se përveç në Ministri, duhet të zgjidhet edhe problemi me Agjencinë e Akreditimit dhe Agjencinë e Arsimit Profesional, që operojnë ende me ushtrues detyre, e po ashtu edhe me Inspektoratin e Arsimit.
“Mendoj se ministrja e arsimit ka punë për të sanuar gjendjen në Ministrinë e saj e që është pika e parë e programit qeverisës. Kjo ka ndodhur për shkak të aprovimit të strukturës së re organizative në shtatorin e vitit 2018, e cila, jo që nuk është implementuar, por ka shkaktuar çrregullime serioze në organizimin e brendshëm të Ministrisë. Pastaj, dy agjenci të rëndësishme, Agjencia e Akrediimit dhe Agjencia e Arsimit Profesional, operojnë me ushtrues detyre të drejtorëve dhe staf të pakompletuar. Edhe Inspektorati i Arsimit është në fazën e kompletimit të stafit për kryerjen e funskioneve që ja përcakton ligji i ri i inspektimit”, shprehet Popovci.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, thotë se duhet që të dërgohen njerëz në terren për të bërë një plan të përbashkët të veprimit.
“Mendoj se duhet t’ia nis fillimisht në MASHT për të mobilizuar aty të punësuarit në Departamente. Në MASHT ka njerëz të përkushtuar dhe që e njohin dhe e çmojnë shumë arsimin. Atyre duhet dhënë hapësirë dhe përkrahje për angazhime dhe do të ketë rezultate. Pas kësaj duhet dalë në terren të vizitohen Drejtoritë Arsimore dhe të bëhet një plan i përbashkët i veprimit sepse, jo rrallë, DKA-të kanë vepruar si u është tekur. Duhet mbajtur takime mujore konsultative me drejtorët e DKA-ve dhe me përfaqësuesit e SBASHK-ut me qëllim që të thuhen hapur problemet dhe të ofrohen ide për zgjidhjen e tyre. Bashkërisht mund të arrijmë me shumë”, thotë Jasharaj.