Lidhja Demokratike e Kosovës i ka vendosur kushte Lëvizjes Vetëvendosje, për zgjedhjen e kryesuesit të ri të Kuvendit të Komunës së Prizrenit.
Ky subjekt politik kërkon rifreskim të marrëveshjes së bashkëqeverisjes në këtë qytet. Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvend, Haziz Hodaj tha se kushti për Vetëvendosjen është një drejtori më shumë ose postin e Kryesuesit.
“Me qëllim të krijimit të një balance të pushtetit, pas prishjes së koalicionit me Nismën ne kemi kërkuar edhe një drejtori ose Kryesuesin”, tregon Hodaj për “PrizrenPress”.
Kuvendi i Prizrenit ka dështuar të zgjedhë kryesuesin e ri, pas dorëheqjes së Artan Abrashit, i cili në zgjedhjet e fundit është bërë deputet i Kuvendit të Kosovës.
Kandidati i VV-së, Muharrem Kurtaj dhe ai i PDK-së, Sulltan Badallaj, muajin e kaluar nuk kanë marrë vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur kryesues të Kuvendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës pati lëshuar mbledhjen e Kuvendit të Prizrenit.
Shef i grupit parlamentar të LDK-së, Haziz Hodaj tha se nga kryetari Mytaher Haskuka kanë kërkuar të shtyhet mbledhja.