Komuna e Podujevës pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Arsye për këtë është zgjedhja e kryetarit të kësaj komune, Agim Veliut, ministër i Punëve të Brendshme.
Sipas ligjit, në momentin që e pranon pozitën e ministrit, Veliu duhet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Podujevës dhe ky qytet brenda 45 ditësh mban zgjedhjet e reja ku zgjidhet kryetari i ri.
Ndërkohë disa parti në Podujevë kanë nisur përgatitjet për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Asambleisti, Bajram Ajeti nga Lëvizja Vetëvendosje, i ka thënë lajmi.net se kanë nisur përgatitjet por ende nuk kanë një emër të kandidatit.
“Vetëvendosje në Podujevë ka nisur përgatitjet për zgjedhje të jashtëzakonshme por ende nuk kemi emër të kandidatit”, ka thënë Ajeti.
Agim Behluli, asamblesit nga Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur i bindur se kjo parti do të udhëheq përsëri me Podujevën.
“Përgatitjet për zgjedhje kanë nisur menjëherë dhe jam i bindur që LDK do të fitojë bindshëm përsëri në Podujevë. Kemi disa emra për kandidatë por njëherë nuk mund t’i bëjmë publike”, ka deklaruar Behluli.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike në Poduejvë, Fatmir Rudari ka thënë se ende nuk kanë pasur ndonjë takim për të diskutuar rreth kësaj çështje.
“Ne nuk i kemi nisur përgatitjet as nuk jemi takuar për të diskutuar rreth kësaj çështje. Kur të kemi një emër do të iu inforomojmë”.
As në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë diskutuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Mrika Thaqi nga kjo parti ka thënë se AAK është në proces të zgjedhjeve të brendshme.
“Ende nuk kemi diskutuar rreth kësaj çështje jemi në proces të zgjedhjeve të brendshme të partisë. Do të takohemi këto ditë, ende s’kemi asgjë konkrete”, ka theksuar Thaqi
Agim Veliu i cili sot pranoi zyrtarisht detyrën e ministrit të Brendshëm, udhëheqi me Komunën e Podujevës që nga viti 2010.