Disa pyetje me rëndësi që kanë vetëm një përgjigje, apo, përse jemi kështu dhe si ndodhi që u bëmë përrallë e botës?
Shkruan: Mustafa Bajrami
Më drejtë, a duhet që shtresa intelektuale e shqiptarëve, mbase e gjithë shoqëria, të marrë qëndrime të caktuara politike sa herë që liderët politik shqiptarë i ndryshojnë qëndrimet e tyre ndaj njëri tjetrit?
A nuk duhet që shtresa intelektuale shqiptare të jetë konsistente në qëndrimet e saj, ta ketë zërin e saj, të fuqishëm e të pavarur, pa marrë parasyshë çfarë bëjnë ndërvete liderët politik?
A ka shoqëria jonë aso shtrese intelektuale sa të mos jetë kaq e prangosur nga klasa politike, apo, mos ndoshta e tërë jeta jonë varet nga teket e klasës politike, ku e tërë shoqëria detyrohet t’ia bëjë “aminin” çdo fjale, çdo veprimi e çdo vendimi të klasës politike e të liderëve të saj?
Nëse nuk ka, apo nëse nuk mbeti, atëherë, shtrohet pyetja, si erdhën shqiptarët deri tek ky mjerim e trishtim shoqërorë?
Tek e fundit, pse duhet të jenë për shoqërinë tonë kaq vendimtare preferenca dhe ndryshimi i qëndrimeve dhe marrëdhënieve mes liderëve politik?
A është e mundur që një shoqëri e tërë të jetë e ndikuar kaq shumë prej qëndrimeve të liderëve politik, sa t’i ndryshojë ato sa herë që liderët politik i ndryshojnë qëndrimet e tyre ndaj njëri tjetrit?
Pastaj, a është e mundur e si është e mundur të kem rënë deri atje poshtë sa një lider politik shqiptar merr guximin t’i “urdhërojë” përkrahësit e vet t’a vendosin foton e tij në profilet e tyre në Facebook, dhe, aq më keq, si është e mundur që këtyre përkrahësve të mos ju vjen marre prej vetëvetes, prej fëmijëve e grave të tyre, prej shokëve e prej rrethit ku jetojnë?
Apo, si është e mundur që me dhjetëra mijë njerëz të ndryshojnë mendimet e qëndrimet e tyre, kaq shpejt, vetëm pse lideri politik të cilin e mbështesin ka ndryshuar mendimin e qëndrimin e vetë ndaj një lideri apo politike tjetër?
A bash deri në këtë derexhe personaliteti i kësaj shoqërie qenka i paformësuar?
Apo, o ju njerëz, a kemi kurriz ne?
Janë këto pyetje të trishta, por që kanë vetëm një përgjigje: Sipas meje, kjo ndodh sepse neve na mungon besimi i drejtë dhe i sinqertë në Zotin, na mungon sensi i të qenurit njeri me personalitet, me karakter e me “burrni”. Sepse ne, ose nuk e dimë, ose e kemi harruar se fytin, gabzherrin e jetën tonë e ka në dorë Zoti dhe vetvetja jonë. Jo klasa politike e as lideri politik. Cila do qoftë ajo klasë politike e cili do qoftë ai lider politik…!