Regjimi i Bashar al-Assadit në Siri ka nisur një sulm tokësor në pjesët rurale perëndimore dhe jugore të rajonit të Halepit, të cilat janë të inkuadruara brenda kufijve të zonës së deeskalimit të Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ushtria e Assadit, e mbështetur nga grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani, po bombardon vendbanimet civile në perëndim dhe jug të Halepit dhe linjat e frontit të opozitarëve.
Grupet terroriste në fjalë javën e kaluar kishin filluar të mblidhen në zonën rurale perëndimore dhe jugore të Halepit nga provincat Halep, Deirizor, Hama dhe Latakiya, duke i përfunduar përgatitjet për sulm.
Për sulmet në periferi të Halepit, dje mbështetje ofruan edhe avionët rusë.
Avionët rusë po ashtu dje dhe sot morën pjesë në bombardimet në Maarrat al-Numan në jug të Idlibit.
Në rajonin e sulmuar gjendet edhe autostrada strategjike M5, e cila lidh Halepin me Latakian dhe shtrihet deri në Jordani përmes Halepit, Hamas, Homsit dhe Damaskut.
Agresioni i fundit në zonën e deeskalimit në Idlib ka shkaktuar që qindra mijëra civilë të zhvendosen drejt kufirit me Turqinë.
– Situata në Idlib
Gjatë takimit të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në maj të vitit 2017 në Astana të Kazakistanit, Idlibi u shpall zonë e deeskalimit, duke përfshirë edhe disa rajone përreth, ku aktet e agresionit do të ndaloheshin.
Turqia dhe Rusia arritën një marrëveshje shtesë në shtator të vitit të kaluar në Soçi si pasojë e shkeljes së armëpushimit nga ana e regjimit sirian.
Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.
Rusia, regjimi dhe terroristët që i mbështesin që shënjestrojnë Idlibin, vetëm që nga fillimi i vitit 2019 kanë shkaktuar migrimin e rreth 1.300.000 civilëve në afërsi të kufirit me Turqinë.