Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka kthyer sot edhe zyrtarisht Lëvizjes Vetëvendosje ofertën e parë që e kishin vendosur në tavolinë të diskutimit, shkruan Gazeta Express.
Sipas kësaj oferte, Lidhja Demokratike në krye me Isa Mustafën kanë kërkuar nga Albin Kurti që t’ia kthejnë pozitën e kryeparlamentarit, ku tashmë është emëruar Glauk Konjufca, ndërsa, kjo pozitë sipas këtij propozimi mund t’i kthehet LV-së, në rast se kandidati i LDK-së për president i merr votat që i duhen në Kuvend.
Rrjedhimisht, edhe ndarja e ministrive në mes të dy partive do të mbetej siç ishin dakorduar Mustafa dhe Kurti në takimin e parë, pra 5+5.
Kjo ofertë në parim nuk ishte pranuar nga Kurti që ia ka bërë të qartë LDK-së, se puna e kryeparlamentarit është e kryer dhe nuk do ta shkarkojnë Konjufcën.
Mirëpo, të njëjtën sot gjatë ditës, siç ka njoftuar edhe LDK-ja e kanë kërkuar edhe zyrtarisht.
“Sot, kryetari i LDK-së z. Mustafa, me kërkesë të kryetarit të LVV-së z. Kurti, i ka dërguar me shkrim propozimin e LDK-së të shpalosur verbalisht në takimin e 8 janarit 2020”, kanë deklaruar sot LDK-ja.
Një ofertë partisë së Isa Mustafës iu është përcjellë së fundmi edhe nga LV-ja. Kurti, si zgjidhje për çështjen e kryeparlamentarit, ka ofruar shtimin e ministrive në 14, 6 prej tyre i shkojnë LDK-së, 5 LV-së dhe tri pakicave./GazetaMejdani/