Arbër Zaimi, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh këshilltar i kreut të partisë, Albin Kurti, ka folur për letrën që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ia ka çuar shefit të VV’së rreth propozimit të mandatarit për formimin e qeverisë së re të vendit.
Zaimi ka thënë në emisionin “A Show”, në televizionin T7, se Kurti do t’i përgjigjet brenda ditëve të ardhshme letrës nga kreu i shtetit, që shkoi sot në adresë të VV’së.
Por, Zaimi ka kritika për Thaçin, pas letrës së sotme.
“Letra e sotme më duket e pazakontë, e paarsyeshme”, ka vlerësuar Zaimi. “Nuk i takon një presidenti t’i bëjë presion forcave politike”, është shprehur ai.
Zaimi ka thënë se Thaçi mund të shkruajë letra “ditë e natë”, por se ato, sipas tij, “nuk kanë peshë”.
Zaimi ka deklaruar se VV’ja nuk është se e ka inat Thaçin.
“Nuk është çështje inati. Është një ndjenjë pak më e thellë se inati”, është shprehur ai.
“Disa veprime të tij, mendojmë se janë shumë të dëmshme karshi Kosovës, si shtet dhe si popull. Pastaj çështja e korrupsionit, dhe e familjarizimit, e kështu me radhë”, ka thënë Zaimi.