Nuk është aranzhuar asnjë takim ndërmjet dy liderëve të LVV-së dhe LDK-së, dy partive që morën shumicën e votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë për Gazetën Sinjali se deri tani nuk ka asnjë agjendë zyrtare për takim ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.
“Njëherë për njëherë nuk mund të them se ka diçka zyrtare. Deri më tani nuk ka asgjë. Megjithatë, për çdo të re do të njoftoheni”, ka thënë Manxhuka.
Dje, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, u takua për 4 minuta me presidentin Hashim Thaçi, takim në të cilin lideri i LVV-së refuzoi ta propozojë veten për ta marrë mandatin për formimin e qeverisë. Në anën tjetër, presidenti Thaçi pas takimit me Kurtin tha se i ka dhënë këtij të fundit 48 orë afat që ta propozojë një emër për ta mandatuar për kryeministër.
Bisedimet LVV-LDK kanë ngecur dhe presioni ka rënë mbi partinë e Kurtit, të cilës i takon përgjegjësia për formimin e institucioneve të reja.