Teksa një pjesë e qytetarëve të Gjakovës e kaluan ndërrimin e mot moteve pa drita, kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini përgatitej për t’i ndezur fishekzjarrët në orën 00:00 të 31 dhjetorit.
Pavarësisht thirrjeve të organizatave të shoqërisë civile për të mos ndezur fishekzjarre me qëllim mbrojtjen e ambientit, kryetari i Gjakovës deklaronte të martën se do t’i ndizte fishekzjarret edhe “së paku këtë vit”.
“Në solidarizim me Australinë e cila po vlon nga zjarret dhe në të njejtën kohë e ka mbushur qiellin e Sydney me fishekzjarre, do t’i ndezim edhe ne. Vetëm edhe sivjet!”, shkruante dje Gjini.
Por, në anën tjetër, qytetarët e Gjakovës e kaluan pa energji elektrike natën e Vitit të Ri.
KEDS ua ndërpreu atyre energjinë elektrike të martën e 31 dhjetorit 2019, nga ora 18:35 deri më 1 janar të 2020-s në orën 9:30, shkruan Insajderi.
Madje, për këtë mungesë të energjisë elektrike në natën e fundit të vitit, këngëtari i muzikës popullore, Edi Furra ka paralajmëruar padi ndaj KEDS-it.
“Të dashur qytetar të Qytetit ton te Gjakoves desha te ju njoftoj sepse për fatkeqsin qe na solli mbrem KEDS duke mos e marr seriozisht obligimin ndaj Qytetarve dhe në Natën e ndrrimit te moteve na sjelli hidherim ne Familjet tona duke na lën pa Energji Elektrike me Dat 31-12-2019 prej ores :18 e 35 me tendec dy a po tri her kishe po vjen dhe nuk beri pun e deri me dat 01-01-2020 ne oren 9 e 30 mengjezit kur erdhi me ne fund”, ka thënë ai.
Ai i ka ftuar qytetarët e Gjakovës që t’i bashkëngjiten peticionit dhe padisë ndaj KEDS-it, të cilën e ka paralajmëruar ai.
“Kam marr nji vendim ne Konsulltim me Avokat me te mir te vendit duke u bazuar ne ligjet e Shtetit të Kosoves tu drejtohemi Organeve Kopetente per derisa obligimin e kryj ne qdo koh të caktuar dua te bej peticion me ju dhe padi per KEDS sepse kte nat nuk ja falim dot”, ka thënë Furra.