Shoqëria civile po kërkon nga qeveria që të rishikojë edhe njëherë projektin për gazin amerikan, pasi vlerëson se kjo e fundit nuk ka qenë transparente gjatë procesit. Dardan Abazi nga Instituti për Politikat e Zhvillimit (INDEP), thotë se me gazin amerikan Kosova do ta kishte pasur më të lehtë tranzicionin energjetik deri në arritjen e de-karbonizimit.
Në një intervistë për KosovaPress, Abazi thotë se Qeveria e Kosovës duhet të prezantojë edhe alternativat që ka, pas refuzimit të projektit.
Sipas tij, sektori i energjisë ka nevojë për investime dhe nëse qeveria refuzon një projekt të tillë nga ana e objektivave të Mileniumit të SHBA-ve, duhet ta tregojë opsionin që ka rezultuar të jetë më i lirë në krahasim me opsionin e refuzuar.
“Ne konsiderojmë që duhet bërë transparenca e plotë e procesit. Ministrja duhet të japë se cilat kanë qenë opsionet, të cilat sipas qeverisë kanë dal të jenë më të lira sesa gazi amerikan… Në rastin konkret, nuk e kemi parë këtë gjë nga ministrja Rizvanolli. Ka ardhur vetëm një refuzim i këtij projekti duke aluduar se është shumë i shtrenjtë, mirëpo ne nuk e dimë se për çfarë çmimi bëhet fjalë, cila do të ishte kosto që do ta mbulonim ne, sa do të reflektonte kjo në tarifa apo jo, dhe vlerësimet, të cilat i ka pasur qeveria kur ka bërë këtë refuzim duhet t’i shpalosë përpara publikut bashkë me alternativën me të cilën do të zhvillohet sektori ynë i energjisë deri në tranzicionin e plotë dhe de-karbonizimin deri në vitin 2050”, thotë ai.
Abazi thekson se nuk ka pasur nevojë të jepen konotacione të atilla siç ishte ai sipas të cilit ky gaz vjen nga Rusia.
Ai vlerëson se përmes këtij projekti Kosova do ta kishte pasur më të lehtë tranzicionin energjetik, deri në mbylljen e plotë të termocentraleve të linjitit dhe kalimin në një sistem të energjisë së gjelbër.
“Ne një gjë e dimë, që transparenca nuk ka qenë e plotë për këtë projekt, që nuk ka një alternativë të cilën qeveria e ka shpallur dhe për të cilën do të angazhohet në zbatimin e saj, dhe si i tillë, kemi ardhur tek refuzimi i një projekti, i cili megjithatë, së paku në teori kishte potencial që të ndihmonte procesin e tranzicionit energjetik për Kosovën, që të ishte një karburant tranzicional në procesin e de-karbonizimit, deri në mbylljen e plotë të termocentraleve tona të linjitit dhe në kalimin në një sistem ku energjia e gjelbër, sistemi i mençur dhe integrimi energjetik i Kosovës, do të ishin opsionet kryesore ose do të ishin baza e tërë sistemit energjetik të Kosovës”, thotë ai.
Ai apelon qeverinë që deklaratën e Samitit të Sofjes për de-karbonizim të plotë deri në vitin 2050, ta kthejë me urgjencë në strategji për energjinë. Ndërkohë që i qëndron besnik mendimit se sistemi energjetik duhet të bazohet tërësisht në burimet e ripërtritshme, për çka thotë se nevojitet planifikim afatgjatë.
“Konsiderojmë që deklarata e Samitit të Sofjes për de-karbonizim të plotë deri në vitin 2050 duhet urgjentisht të përkthehet në strategjinë tonë të energjisë dhe në dokumentet e tjera strategjike si plani kombëtar për energji dhe klimë, legjislacioni horizontal i energjisë etj. Të gjitha këto duhet të ndodhin e pastaj të themi se projekti në fjalë doli të jetë më i shtrenjtë sesa projektet e tjera dhe menjëherë të kemi alternativat tjera që na çojnë drejt këtij de-karbonizimi.. 6:33 Konsideroj që e ardhmja e sistemit energjetik duhet tërësisht të bazohet në burimet e ripërtëritshme në njërën anë, në efiçencë të energjisë, në integrim të tregut tonë, fillimisht në liberalizim të tregut të brendshëm, integrim të tregut fillimisht me Shqipërinë e pastaj me vendet e tjera të rajonit për të krijuar atë që duhet tregu rajonal i energjisë elektrike”, thotë Abazi.
Kosova gjatë dimrit energjinë elektrike e importon nga jashtë, e sipas Abazit pikërisht këtu fillon edhe problemi, pasi që pjesa e energjisë që do të importohet nga jashtë në krahasim me vitet e kaluara do të jetë shumë më e shtrenjtë.
Ai thotë se pasojat më së shumti do të shihen pas rishikimit të rregullt në ZRRE-së, e cila siç thotë ai, do të detyrohet që të rrisë faturat e energjisë në mënyrë që të mbulojë koston që do të krijohet nga importi i energjisë elektrike.
“Ne nuk mund të presim shtrenjtim të çmimit të energjisë para rishikimit të rregullt që ndodhë në mars dhe në këtë kuptim konsideroj që pasojat më së shumti do të shihen kur të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, nëse do të ketë shtrenjtim në muajin mars dhe në fillim të prillit. Në këtë kuptim, tek atëherë do të shohim se cilat kanë qenë pasojat kryesore që i ka pasur shtrenjtimi i energjisë elektrike… Në 10 vitet e fundit diku kemi 55 euro megavatin që është mesatarja e importit të energjisë elektrike, e tani ky çmim ka shkuar mbi 200 e herë-herë deri në 300 euro megavati dhe kjo vërtet që do të shkaktojë një vështirësi për kompanitë e energjisë, të cilat kur të shkojnë në ZRRE në fund të muajit mars, do të dëshmojnë me letra që kanë pasur shpenzime shumë të mëdha për energjinë e importuar nga jashtë dhe si rrjedhojë ZRRE do të jetë e detyruar që të rrisë faturat e energjisë në mënyrë që të mbulojë këtë kosto që do të krijohet nga importi i energjisë elektrike”, thotë Abazi.
Dardan Abazi nga INDEP apelon Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e kompanitë që merren me energji që të mos ndërpresin asnjëherë furnizimin me energji elektrike, pavarësisht krizës energjetike.
Marrë parasysh projeksionet pozitive ekonomike për këtë vit për Kosovën, Abazi thotë se nuk pret të ketë krizë të madhe ekonomike.