Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli po vazhdon fushatën e tij. Ai ka zhvilluar sot pasdite takime me të rinj të PDK-së nëpër komuna, me të cilët ka folur për vizionin e tij, nëse arrin që të bëhet kryeministër i Kosovës.
Pas takimeve me rininë, shkruan Insajderi, Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se në qeverisjen e tij do të bëjë luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit, e cila siç tha ai, do të bëjë të mundur që të rinjtë të qëndrojnë e ndërtojnë të ardhmen në Kosovë.
“Vetëm një luftë e pakompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit do të bëjë të mundur që të rinjtë tanë të qëndrojnë e ndërtojnë të ardhmen në Kosovë. Sonte vazhdova takimet me aktivistët e Rinisë Demokratike në Kaçanik dhe Ferizaj, të cilëve u shpreha mirënjohje për punën e shkëlqyer organizative që janë duke bërë. Gjithashtu iu premtova se sikurse i kam siguruar rinisë vendin dhe rolin që i takon brenda partisë, si Kryeministër kam për të siguruar edhe hapësirën dhe mundësitë që rinia meriton brenda vendit”, ka thënë Veseli.
I pari i PDK-së, që nga dje ka nisur një fushatë parazgjedhore, duke bërë premtime të ndryshme dhe zotime nëse vjen në krye të Qeverisë së re./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post