Në vitin 1971, njëri ndër më të njohurit e muzikës blues, Eric Clapton, bashkë me Jim Gordon, kompozuan këngën e njohur “Layla”, si pjesë e albumit të vetëm “Layla and Other Assorted Love Songs” të grupit “Derek and the Dominoes”. Clapton u frymëzua për këngën pikërisht nga historia e Lejlës dhe Mexhnunit. Këtë histori të një dashurie të pamundur Clapton e lexoi kur ishte i dashuruar marrëzisht pas Pattie Boyd.
Shkruan: Metin Izeti
Ajo që kërkohej në dashurinë e Lejlasë dhe Mexhnunit ishte bashkimi i të dashuruarve, por në përgjithësi dashuria ka qenë në vetvete dhimbje, qeder, hall, hidhërim, ka qenë heshtje, ka qenë humbje kapitali. Disa prej të dashuruarve i vendosnin një gur zemrës dhe e vuanin përbrenda këtë dhimbje, dikush tjetër për shkak të kësaj dhimbjeje ndryshonte për të mirë ose të keq. Sepse në qoftë se dashuria hidhte rrënjë në zemër, atëherë ajo bëhej sovrani i të gjithë trupit, përfshi edhe mendjen dhe e transformonte të dashuruarin. Në këtë kuptim disa eruditë e kanë njohur dashurinë si një provim. Si do të ndryshonte personi i djegur nga dashuria, për mirë apo keq? Gjendja e Lejlasë është një shembull që tregon se si e transformon dashuria një njeri, se çfarë plagësh hap ajo në shpirt, dhe si e përplas ajo njeriun sa andej-këndej.
Ata që kanë marrë rrugën e dashurisë, në fillim do të pastrojnë rrugët e zemrës së tyre, në fillim do të pastrojnë kopshtin e zemrës së tyre. Sepse pa pastruar barërat e këqija as në një vend nuk mund të shkohet. Mirëpo çfarë janë brenda nesh këto barëra të egra? Çfarë janë këto që e bëjnë pis kopshtin tonë të zemrës? Urrejtjet, zemërimet dhe obsesionet, janë kapriçot tona. Janë vese të cilat nuk kemi kurajë t’i largojmë, por sajojmë shkaqe për ekzistencën e tyre brenda nesh. Ngandonjëherë ato na duken aq të vlefshme sa që nuk ka force që t’i shkëpusë ato nga vendi, ato janë rezistente ndaj çfarëdo lloj kushti. Por po të bjerë një herë në zemër dashuria, atëherë ,dhe vetëm atëherë varrosen të gjitha kapriçot, të gjitha urrejtjet. Dhe ky është Zoti i dashurisë, një frymëmarrje e shenjtë që e gufon zemrën. Ajo frymëmarrje që të pamundurën e bën të mundur, që të fundmen e bën të pafundme. Dhe ky zjarr i dashurisë e freskon njeriun. Pikërisht ashtu siç e pati freskuar edhe Pejgamberin Ibrahim. Njeriu edhe në qoftë se bie brenda një vorbulle, ajo tashmë është kopsht trëndafilash, sepse në këtë botë kudo që të shkojnë të dashuruarit për ta është kopsht me trëndafila.
Një poezi sufike thotë kështu:
O mik, në rast se ke rënë në dashuri,
Asnjëherë mos u gënje,
Por si Ibrahimi fillo udhëtimin edhe sikur një vorbull,
Sepse nuk digjet ai që bie në këtë kopsht me trëndafila
Kopshti me trëndafila në gjuhën sufike ka kuptimin e njeriut që ia ka arritur shpëtimit, ka kuptimin e asaj zemre që është pastruar nga lulet e të keqes dhe është shndërruar në një kopsht me trëndafila. Tashmë në atë kopsht mbizotërojnë vetëm bukuritë hyjnore, të këqijat janë larguar.
Lejla dhe Kajsi nga fisi Benu Amir u njohtuan dhe u dashuruan në njëri tjetrin kur ishin fëmijë dhe i kullosnin devet e tyre. Sipas një rrëfenje tjetër, Kajsi si I ri kishte dëgjuar për bukurinë e Lejlës. Kishte vajtur që ta takojë Lejlën e cila organizonte ndeja zbavitëse dhe vajzave që vinin u dhuronte nga një deve. Aty paraqitet edhe konkurrenti I tij Munazili. Por ama Lejla dashurohet në Kajsin. Një herë Lejla, për ta provuar dashurinë e Kajsit, kërkoi prej tij që mos ta shprehin dashurinë e tyre në praninë e të tjerëve dhe të sillen sikur nuk ka asgjë midis tyre. Të bisedonin dhe të mirreshin vesh vetëm nëpërmjet shikimeve. Ajo I tha: Por ama dashuria do të qëndrojë në zemrat tona. Kur Kajsi e vërejti se si Lejla qëndron indifirente, ai u çmend edhe më dhe dashuria e tij u shtua nga dita në ditë edhe më shumë. Këngët që ai I këndonte për Lejlën filluan të zgjerohen në të katër anët. Babai I Kajsit, e vërente se si djali I tij shkrihej nga dashuria për Lejlën, vendosi që të shkojë dhe ta lyp atë nga babai I saj për djalin e vet, KAjsin. Por ama, babai I Lejlës I hidhëruar se pse emri I vajzës së tij ishte bërë temë e këngëve që këndoheshin përreth nuk ia dha Lejlën Kajsit. Krahas kësaj fisi I Lejlës e paditi Kajsin tek kalifi dhe ai ua ndaloi që ata të shiheshin dhe urdhëroi që Kajsi të vritet nëse do të vazhdojë të takohet me Lejlën.
Fisi I Lejlës shpërngulet në një vend tjetër,por Kajsi I ndjek ata. Përkulet, vajton dhe lutet që t’ia japin atij Lejlën. Me këshillë të parisë së fisit të vet babai I tij e dërgon Kajsin në haxh, me dëshirë që ai të shpëtojë nga mundimet dhe hjekat.
Kajsi përderisa ishte në Minë, për ti hedhur gurë shejtanit, e dëgjon zërin e Lejlës dhe e humb vetëdijen dhe thotë: Zemrës time I thash që të durojë, ndërsa ajo m’u përgjigj që të mos I humbi shpresat, pasi durimi nuk do të jetë miku im. Më tha që për mua nuk ka gjë më të mire se vdekja në rast se e dashura nuk do të jetë pranë meje. Ai në vend që pranë Qabes t’I lutet të Madhërishmit t’ia largojë hjekat dhe mundimin, ai iu lut Zotit që t’ia shtojë dashurinë. Por ama Kajsi do të përjetonte mundime edhe më të mëdha dhe assesi nuk do të takohej me të dashurën e tij.
Lejlën e martojnë me një djal të ri që quhej Verd dhe kur Kajsi e dëgjon këtë tërësisht e humb fuqinë e arsyes. Veten e quan Mexhnun/i çmendur dhe lëshohet të endet nëpër shkretëtirë, komunikon vetëm me kafshët e egra. Arsyeja e tij I kthehet vetëm në çastet e shkurtëra kur përmendet emri I Lejlës. Ai ka dobësi dhe mëshirë të madhe ndaj sorkadheve, I don ata shumë për shkak se ia përkujtojnë Lejlën.
Babai dhe të afërmit e tij, pas një kërkimi të gjatë, e gjejnë në shkretëtirë dhe përpiqen ta kthejnë në shtëpi, por ai nuk e dëgjon askënd. Ata tentojnë që me dhunë ta lidhin dhe ta marrin në shtëpi, por atëherë ai fillon ta lëndojë veten dhe ata e lënë në botën e tij. Sipas një përcjelljeje tjetër, tubuesit e zeqatit e shohin në shkretëtirë dhe ju dhimbset shumë, prandaj edhe shkojnë te babai I Lejlës që të kërkojnë prej tij t’ia jep Lejlën, por ai nuk pranon në asnjë mënyrë që ta bëjë këtë.
Shumë njerëz shkojnë në shkretëtirë që ta takojnë Kajsin dhe të marrin prej tij poezitë dhe këngët që ai I kishte shkruar dhe I këndonte për Lejlën. Në ndërkohë Lejla sëmuret dhe vdes nga malli për të dashurin e saj. Në të njëjtën kohë edhe familja e Kajsit e gjen të vdekur në shkretëtirë Mexhnunin. Ndërsa sipas një rrëfimi tjetër Mexhnuni vdes duke vajtuar në varrin e Lejlës dhe atë e varrosin afër saj.
Kjo rrëfenjë shkretirore përmes Nizam Genxheviut dhe më vonë Fuzuliut e shumë poetëve të tjerë është shndërruar në një poemë të dashurisë sublime. Kajsi në realitet ishte I dashuruar në Krijuesin e bukurisë së Lejlës. Lejla ishte vetëm rruga e mishëruar që atë do ta barte deri tek I Dashuri sublim. Kajsi në këtë rrugë I kishte humbur mendtë për shkak se mendja nuk e kupton dashurinë, ajo kuptohet me shpirt dhe zemër. Trupi duhet të hjekë për tu liruar nga lëndorja dhe të takohet me sorkadhet e platformës metafizike.
Në tesavvufin islam dashuria është shpirti I gjithësisë. Dashuria, sipas gnostikëve, është origjina e qenies. Dashuria është parimi që e ka shtytë Krijuesin për ta krijuar gjithësinë. Si rrjedhojë dashuria është sekreti apo enigma e qenies.
Te poezitë në të cilat i ka kënduar dashurisë ndaj Zotit, Ibn Arabiu ka përdorur mjete të brendabotshme. Nëse subjekti është për dashurinë, atëherë doemos që njeriu do të jetë subjekti. Ashtu si pjesa më e madhe e poetëve, që për të arritur deri te dashuria hyjnore kanë përdorur Jusufin dhe Zulejhanë, Lejlën dhe Mexhnunin, Vamikun dhe Azrën, Keremin dhe Aslinë si motive poetike, gjithaq edhe Ibn Arabiu e ka përqendruar dashurinë hyjnore te Nizami, që në veprën e tij Terxhumān el-eshwāk ai është personazhi kryesor. Nga frika se mos alegoritë dhe metaforat e përdorura në vepër keqkuptohen dhe zbriten në përmasat e trajtësuara botërore, Ibn Arabiu shkruan edhe një komentar për të, që titullohet Dhāhairel-e’lak shehu Terxhumān el-eshwāk. Ai është ndër të parët që ka bërë komente për veprën e tij. Në këtë komentar ka disa sqarime të rëndësishme në lidhje me poetikën e poezisë sufike. Ai shkruan: “Këtu (Terxhumān el-eshwāk) kam bërë fjalë në trajtë alegorike për dritën hyjnore, shkencat shpirtërore dhe vendimet e Ligjvënësit. Por, të gjitha këto i përfaqësova me subjekte të dashurisë trupore. E bëra këtë për shkakun se sqarime të kësaj natyre e tërheqin më tepër njeriun.”
Më pas ai flet për tregimet e personazheve kryesore të veprave të dashurisë në letërsinë klasike myslimane: për Kajsin, Lubnanë, Ibn Derixhin, Gejlanin etj., dhe shpjegon se “dashuria e këtyre të dashuruarve arabë dhe e jona është i njëjti realitet. Por, të dashuruarat dallohen, për arsyen se ata janë të dashuruar pas gjithësisë, kurse ne pas thelbit. Por, shkaqet, kushtet dhe nevojat e ngjarjes së dashurisë janë të njëjta. Për pasojë, këta të dashuruar janë model për ne”.
Ai është edhe më i qartë në lidhje me këtë temë kur thotë: “Poezitë tona në përgjithësi, pavarësisht se a fillojnë me shprehje dashurie ndaj një të dashure apo me fjalë miradie për atributet e një femre, apo për ndonje lum, vend, yll etj., në realitet ato ngërthejnë njohjet hyjnore. Domethënë, ne e alegorizojmë ose e simbolizojmë një gjë, por qëllimi është për diçka tjetër.”
Pothuajse në një trajtë identike flet edhe Fuzuli në poemën e dashurisë Lejla dhe Mexhnuni, që është shkruar me të njëjtat ndjenja: “Me dëshirën për të arritur deri tek e vërteta, u nisa rrugës së alegorisë dhe sqarova fshehtësitë – kinse po rrëfej ndonjë tregim. O Zot! Nëpërmjet Lejlës nisa të shpjegoj atributet e Tua; ndërsa me gjuhën e Mexhnunit shpreha nevojën time për Ty dhe u luta pandërprerë… O Zot! Lejla e sekretit të Realitetit u desh që të shihej nga pas perdes së njëshmërisë (vahdeh), të zbukurojë gjithësinë lëndore me pasqyrimin e bukurisë, e shpirti i Mexhnunit, duke shëtitur nëpër shkretëtirë, të shohë këtë bukuri e ta nënshtrojë vullnetin e tij para kësaj bukurie…”
Ndërsa Hafiz Shiraziu me elokuencë të pashoq e ka përshkruar se si duhet të mënjanohen pengesat lëndore dhe dyzimi nëse kemi dëshirë ta përjetojmë dashurinë reale ndaj Krijeusit. Ai thotë:
Shpirti im është perdja e dashurisë së Tij,
syri im është pasqyra e mëshirës së Tij,
as përpara tokës dhe as përpara kupës qiellore, nuk përulem;
por mirësitë e Tij kanë bërë që të nënshtrohet
një shpirt shumë kryelartë për t’u përulur.
Ky është tempull i përgjërimit, ku s’ka asnjë mëkat,
por vetëm flladi mund t’i afrohet,
kush jam unë, pra për të kuturisur?
Megjithatë, shumë e ndotur është rroba ime,
a do të fyejë kjo Ty, shumë i Pastërti dhe shumë i Larti?
Ai kaloi pranë trëndafilit,
Ai ia përlau atij parfumin dhe ngjyrën.
O yll fatlum që do të zbulosh
sekretin e natës dhe të ditës:
përpara syve të mi është fytyra Jote,
në shpirtin tim është dashuria Jote
Si rrjedhojë është e qartë se poetët sufi, si, Hafiz Shirazi, Nizami Genxheviu, Fuzuliu, Junus Emre, Nezim Frakulla, me anë të simbolizmit poetik kanë patur për qëllim të përfaqësojnë realitetin hyjnor: Zotin dhe asgjë tjetër. “Çdo fjalë që më doli prej goje, ishte vetëm Ai dhe vetëm Ai.”…
Discussion about this post