Budallës dhe Presidentit – lëshoja udhën.
T’fala për Albinin:
– Mos prit prej Isa Mustafës me lëshu pe.
Fshije.
Isa Mustafa nuk lëshon pe.
– Nuk lëshon pe, sepse i ka ardh dita mos me lëshu pe; nuk e ka idenë se çka i bjen me lëshu pe; nuk u mësu kurrë me lëshu pe, sepse u mësu gjithmonë m’u bë qysh ja ka dasht zemra.
Mbasi e ka gjetë ‘kishën ku m’u kryqu’, pse mos m’u lazdru, kur qe 50 vjet i shitet kjo ‘shkollë’.
Nuk e ka ndërmend me ndryshu tash Isa Mustafa hatri yt e m’u ri-eduku për idealet e t’ua.
– Ti s’mund t’i ofrosh atij asgjë që nuk ka, sepse Ai mendon se i ka të gjitha, përveç President që mund ta bësh.
Dhe, për këtë ndjehu me fat që ke në dorë diçka që madhnia e tij nuk e ka.
– Nëse Ti nuk lëshon pe, Isa Mustafa nuk ka çka humb, kurse ti Po.
Ti e humb shansin të bëhesh Kryeministër sot.
E më mirë një zog në dorë.
Më mirë sot Kryeministër sesa President n’hava.
E humb shansin që sot të arnosh diçka në këtë vend të shqyer, në këtë vend të rënë përtoke.
– Ti e di se jemi populli më i varfër në Evropë!
Dhe shteti më i korruptuar.
Dhe Ti nuk i ke fituar zgjedhjet krejt.
Për pak i ke fituar. Prandaj, lirisht lësho pe.
Le të nervozohen votuesit t’u, shqiptarët kanë dashur pak ndryshime-pak ndryshime do të gjejnë.
Kosova nuk ka kërkuar ndryshime të mëdha.
Prandaj, ty nuk të prishë as nuk të ndreq punë kush bëhet President.
Ne të votuam për Kryeministër. Jo, të na zgjedhësh Presidentin. Presidenti askujt s’është kah i intereson.
– Lirisht lësho pe, nuk ke tjetër dalje dhe s’është marre. Ty nuk të hyn në udhë, Ti nuk humb asgjë, nëse Isa Mustafa bëhet President.
– Nëse lëahon pe, harroji ndryshimet e mëdha.
Me LDK-në e sotit nuk ka ndryshime.
As s’ka pasur kurrë.
LDK janë tre katër meshkuj aty që s’din sa pare i kanë.
LDK i thonë Vjosës ata idealistët që ende kanë ymyd në këtë vend.
Por kjo është vetëm iluzion.
Vjosa është jabanxhi në LDK.
– Por as vetë Ti nuk e di a është Vetëvendosja më e mirë se tjerat, a është aq e zoja për ndryshime të mira, duhet ta shohim që të besojmë.
Unë besoja se ndryshimi je veç Ti, sepse shoh burra e gra të padenjë dhe të papërgatitur rreth teje që po ‘ngriten’ në VV me shkallë prej letre, shumë më të padenjë se të partive tjera.
Pra, rinia i kanë sytë te Ti, jo te Xhelalat.
– Prandaj më mirë tregoju ti i pari shqiptarëve, sesa shqiptarët të binden vetë se VV nuk është xheneti i këtij vendi, thjesht është një parti normale që nuk ka mëkatuar ende në nivelin qëndror, se përndryshe është parti e tokës, me njerëz normal dhe prandaj të gjithë përnjëherë të zbresin në tokë, sepse planprogram të mrekullive nuk ka.
Mrekulli politike s’ka.
Thjesht me Albinin dhe me LDK mund të presim më pak padrejtësi, më pak korrupcion, më pak shkelje. Por jo -xhenet.
Neve nuk na duhet më shumë, nuk po lypim parajsë, thjesht veç na duhen njerëz normal, dhe ndryshimi të filloj.
– E nëse veç Ti je i mirë e krejt janë të këqij, atëherë ‘s’ka nevojë m’u bë mirë’.
Prandaj, shoku, lësho pe.
– Unë mendoj se kokëfortë si Isa Mustafa nuk lind ma nana. Prandaj, sado që edhe ty të njohin për kokëfortë, nuk mund t’i afrohesh atij edhe 100 vjet ymer m’i pas.
Nuk është virtyt kokëfortësia, është më i madhi ves.
Çka me bë pra?
S’di.
A kisha lëshu unë pe?
Thonë është mirë me lëshu pe, lum ai lumi që ia lëshon udhën budallës.
Nuk di.
Kur kthej kokën pas, mendoj se më mirë do t’i kisha pasur punët nëse në shumë situata do të kisha lëshu pe.
– Isa Mustafa nuk ka çka humb.
Në zgjedhjet e reja prapë do të detyrohesh të lëshosh pe.
Lësho pe sot, e mos e shtyjë për nesër këtë marifet.
Sepse, si sot, si nesër, Ti do të deryrohesh të lëshosh pe.
P.S. Omar Sharif, e ka ndryshuar emrin, religjionin dhe krejt botëkuptimet e jetës për t’u martuar me vajzën myslimane që dashuronte.
Por kur u harxhua dashuria e tyre, ata u ndanë, gruaja vazhdoi ta kërkonte dashurinë në dy martesa tjera, kurse Omar Sharifi nuk u martua më, tha, s’jam dashuruar më në asnjë grua si në Faten Hamama.
Ec e ktheje tash emrin e vjetër (Michel Dimitri) Omari i shkretë, Dr.Zhivagoja i pashëm, ec e ktheje fenë e vjetër, e ndrysho sa herë të dashurohesh e sa herë të të lënë gjinja me gishta në gojë.
As për dashuri s’ia vlen të lëshosh pe, por ja që nuk ka derë tjetër.
Dikush është i nëmun me lëshu pe e m’u sakrifiku. Dikush si Isa Mustafa është i lindur m’e ba sefa, pa i mungu kurrë qimja e flokut…nejse kjo qimja e flokut s’ke bash gjetje ????.
Discussion about this post