Kreu i LV-së, Albin Kurti, ka thënë se sot s’do të ketë takim në mes të tij dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa.
Sa i përket një marrëveshjeje potenciale, Kurti ka thënë se ende nuk ka ndonjë rezultat konkret sa i përket arritjes së një koalicioni potencial me LDK-në.
“Ne jemi duke u përgatitur që të qeverisim mirë. Unë sa i përket çështjes së bisedimeve me LDK’në nuk mund të kem lajme të reja pa pasur rezultate konkrete. Këtë ua kam thënë edhe më herët po e përsëris sërish. Sot nuk ka takim do të ketë takime dhe komunikime të vazhdueshme dhe më të dendura derisa të arrijmë marrëveshjen që dëshirojmë. Kur ti kemi rezultatet konkrete jap lajme të reja, nuk ka rezultate konkrete. Presidenti i Kosovës e ka shtyrë në maksimum datën se kur do të mbahet mbledhja konstituive për legjislaturën e shtatë sepse datë e fundit ka qenë 26 dhjetori, na ka dhënë më shumë kohë se që na është dashur”, ka thënë sot Kurti para gazetarëve.
Ndryshe, Kurti dhe Mustafa ishin marrë vesh që deri në arritje të marrëveshjes të takohen gati çdo ditë.
Express ka raportuar se gjatë takimit të djeshëm, Kurti e Mustafa ia përsëritën edhe një herë pozicionet që kanë njëri-tjetrit, në mënyrë që të dy palët të dakordohen për marrëveshjen.
Ajo se çka u tha brenda takimit, siç merret vesh është se LV-ja nuk ka ndërruar qëndrim sa i përket pozitës së presidentit që do ta pasojë Hashim Thaçin, derisa LDK-ja insiston që kjo pozitë u takon atyre./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post