Në Mbretërinë e Bashkuar ka një paqetësi që të vë në mendime. Jo vetëm Skocia, por edhe Uellsi dhe Irlanda e Veriut i konsiderojnë shumë të rrezikshme planet e kryeministrit britanik Boris Johnson për Brexitin. Johnson aktualisht po propagandon projektin e tij në një udhëtim nëpër rajone të ndryshme, transmeton Mejdani.com.
Nacionalistët e Irlandës së Veriut tani po mendojnë gjithnjë e më shumë për ribashkimin me Republikën e Irlandës, siç e bëri të qartë udhëheqësja e Sinn Fein-it, Mary Lou McDonald. Rruga për t’u rikthyer në BE për Veriun është shumë qartë ribashkimi irlandez, tha ajo. Në votimin e Brexitit në vitin 2016, 56 përqind e Irlandës së Veriut votuan që të mbeten në Bashkimin Evropian, ndërsa në Britaninë e Madhe gjithsej 52 përqind votuan për t’u larguar nga BE.
Telefonata e parë e Johnsonit me kryeministrin irlandez Leo Varadkar gjithashtu nuk solli afrim të pozicioneve. Mbetet e paqartë se si do të zgjidhet në të ardhmen çështja e kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Varadkari hodhi poshtë kërkesën e Johnsonit për të anuluar të ashtuquajturën “klauzolë prapavijë” në Marrëveshjen e Brexit-it. Kjo klauzolë garancie ka për qëllim të parandalojë një kufi të fortë me kontrolle midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Sepse kjo mund të ringjallë në Irlandën e Veriut konfliktin e vjetër midis mbështetësve katolikë të bashkimit me Irlandën dhe protestantëve besnikë.
Johnsoni u përpoq të fajësojë BE për kaosin aktual rreth Brexitit. “Nëse ata nuk janë në gjendje të bëjnë kompromis, nëse me të vërtetë nuk munden ta bëjnë këtë, atëherë sigurisht që duhet të përgatitemi për një Brexit pa marrëveshje”, tha ai.
“Bujqit do të jenë më mirë”
Në të njëjtën kohë, kryeministri britanik premtoi të përmirësojë situatën e bujqve e fermerëve pas largimit nga BE. Por në Uells këtë nuk ia besoi askush. Pjesa jugperëndimore e Britanisë së Madhe varet shumë nga subvencionet e BE. Rreth 80 përqind e të ardhurave të fermerëve atje së fundmi kanë ardhur nga burimet e BE, konfirmojnë ekspertët.
Kryeministri britanik premtoi pa u trembur në një takim me fermerët: “Po ta largohemi nga BE më 31 tetor, do të kemi mundësinë historike të prezantojmë masa të reja për të mbështetur bujqësinë – dhe do të sigurojmë që bujqit të kenë një marrëveshje më të mirë. ”
Kryeministri i Uellsit, Mark Drakeford, e sheh këtë krejt ndryshe. “Asnjë pranim, që janë në rrezik bazat e jetesës sonë. Nuk ka përgjigje serioze. Asnjë plan për bujqit e Uellsit”, shkroi me zemërim në twitter politikani laburist. Dhe diku tjetër ai shkroi: “Brexiti do të jetë katastrofal për Uellsin. Ai do të asgjësojë në masë bujqësinë dhe industrinë tonë përpunuese. Dhe ai sjell rrezikun që të shkatërrojë Mbretërinë e Bashkuar”./DW/
Discussion about this post