Banorët e qytetit Ras el-Ajn në veri të Sirisë, kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre pas pastrimit të rajonit nga organizata terroriste YPG/PKK nëpërmjet operacionit antiterrorist turk “Burimi i Paqes”.
Jeta në Ras el-Ajn ka filluar t’i kthehet normales si rezultat i operacionit turk, ndërkohë që Turqia është duke i vazhduar përpjekjet për të plotësuar nevojat e popullatës dhe për të riparuar dhe rinovuar objektet në qytet.
Një grup sirianësh kanë aplikuar në Zyrën e Guvernatorit të provincës turke Shanlıurfa për t’u kthyer në vendlindjen e tyre.
Pas miratimit, 70 persona të cilët gjendeshin në rrethet Viranshehir dhe Ceylanpınar, përfshirë gra dhe fëmijë, kaluan përmes stacionit kufitar në rrethin Ceylanpinar për të arritur në Ras el-Ajyn.
Sirianët që kaluan kufirin shprehën falënderime për forcat turke, duke përqafuar stafin ushtarak. Në anën tjetër të kufirit, ata u pritën nga ekipet e Ushtrisë Kombëtare Siriane, e cila ka mbështetur Turqinë në operacionin e saj.
“Për shtatë vite kam jetuar në Turqi. Jam shumë i lumtur që po kthehemi në vendin tonë. Falënderoj shumë presidentin Recep Tayyip Erdoğan për çdo gjë…Unë isha 11-vjeçar kur u largova nga Ras el-Ajn”, tha siriani Muazzin el-Muhammed në një prononcim për gazetarët.
Ndërkaq, Abduladhim el-Muhammed, po ashtu u shpreh i lumtur për kthimin në vendlindje së bashku me vajzën e tij dy vjeçe e gjysmë.
“Falë Zotit, Ras al-Ayn u çlirua nga terrorizmi. Pas shumë vitesh, ne po kthehemi në shtëpinë tonë”, u shpreh ai.
Po ashtu edhe Ahmed Shavak, një tjetër sirian që u kthye në Ras el-Ajn, tha se ndihet i lumtur që trojet e tij janë pastruar nga organizata YPG/PKK dhe tha se është mirënjohës ndaj presidentit Erdoğan dhe popullit turk.
“Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë. Ata plotësuan të gjitha nevojat tona. Për shtatë vite isha i ndarë nga vendlindja, kurse tani jam shumë i lumtur që po kthehem në vendin tim”, tha Shavak.
Turqia më 9 tetor nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eleminuar terroristët e YPG/PKK-së në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë, me qëllim për të siguruar kufijtë e saj, për të ndihmuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe për të garantuar integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja arriti dy marrëveshje të ndara me Washingtonin dhe Moskën muajin e kaluar, sipas të cilave ajo ra dakord të pauzonte operacionin e saj për të mundësuar që terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqeshin nga zona e planifikuar e sigurt, ku Turqia dëshiron të riatdhesojë miliona refugjatë sirianë që aktualisht i strehon.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.
Discussion about this post