Moti i keq me shi dhe erëra të fuqishme goditën pjesën më të madhe të qyteteve bregdetare në Kroaci, nga pjesa jugore e Adriatikut, ku uji i detit përmbyti bodrumet e Dioklecianit në Split, deri në Rijekë ku ujërat arritën deri në treg.
Ministria e Brendshme e Kroacisë monitoron situatën në terren për shkak të motit me stuhi që filloi shkaktimin e dëmeve të para dje në pjesën jugore të Kroacisë.
Nuk raportohet për persona të dëmtuar ndërsa dëmet materiale ende nuk janë përcaktuar, njoftoi MPB-ja e Kroacisë.
Era e fuqishme jugore, me shpejtësi mbi 140 kilometra në orë në afërsi të Dubrovnikut, bëri që uji i detit të përmbytë brigjet e shumë qyteteve bregdetare në Adriatik, deri në Istria.
Një stuhi e fortë u regjistrua në Trogir dhe Kashtela.
Meteorologët thonë se moti do të qetësohet gjatë ditës, por reshjet e shiut me erëra sërish do të intensifikohen në fillim të fundjavës.
Discussion about this post