Udhëheqja e fokusuar në vetvete dhe e papërgjegjshme tregon shumë për të kaluarën tonë, si dhe për të tashmen. Boris Johnson ka kritika për historianët që mendojnë se “historia e njerëzimit nuk është historia e njerëzve të mëdhenj dhe e veprave të ndritshme”. Ai ulëret se vete biografia e Winston Churchill ‘zbeh’ idenë e të gjithë atyre dashakëqinve, pasi ai (Churchill) i vetëm bëri ndryshimin. ”
Shkruan: Nick Cohen
Historia e vetë Boris Johnson është duke u ‘zbehur’, gjithashtu. Ai po e zvogëlon Britaninë: po e bën atë të “kërrusur”, të varfër dhe të parëndësishme.
Historianët modernë kanë tendencën të mos jenë dakort me idenë e shekullit të 19-të se “historia e asaj që njerëzimi ka arritur, është në fund të fundit Historia e Njerëzve të Mëdhenj”, siç thoshte Thomas Carlyle. Nga ky ndryshim në qasje, ne të tjerët nuk duhet të jemi kaq neglizhentë, por të fokusohemi te aftësia e burrave dhe grave shkatërrimtarë, që mund ta ndryshojnë botën për keq.
Në studimin e tij klasik Mbi Psikologjinë e Paaftësisë Ushtarake, Norman Dixon analizoi gjeneralët britanikë që kishin çuar njerëzit e tyre drejt vdekjeve të pakuptimta nga Krimea deri në Arnhem. ‘Diagnoza’ e tij është shumë e njohur. Dixon e përcaktoi si një gabim të vazhdueshëm “ambicien e madhe që i kushtohej një qëllimi të vetëm: vetë-avancimit”; e cila tingëllon e njohur, gjithashtu. Burrat katastrofikë e konsiderojnë “luftën si sport”,thekson Dixon, çfarë sjell në mend paralajmërimin e Theresa May në 2016 se “politika nuk është lojë”.
Asokohe, May me siguri po i referohej Johnsonit. Pasi për të, kjo është një lojë dhe fitorja e tij është mbi gjithçka. Vitin e kaluar, ai i tha partisë Demokratike Unioniste se një kufi në Detin Irlandez “do të dëmtonte strukturën e unionit”. E në vijim me një gjëmim churchillian shtoi: “E unë duhet t’ju them se asnjë qeveri konservatore britanike nuk mundet ose nuk duhet të firmosë një marrëveshje të tillë.”
Javën e kaluar, ai e nënshkroi “një marrëveshje të tillë”, sepse tradhtia ndaj aleatëve e bën atë të fitojë lojën politike. Dixon pati vënë theksin mbi “nënvlerësimin, nganjëherë në kufi me arrogancën, të armikut”. Dhe mendja të shkon te Dominic Cummings[i], aq të humbur në makinizmin e tij të delusionit sa iu tha vendeve të BE-së se “ata do të arrinin fundin ” nëse do guxonin të sfidonin Britaninë fuqiplotë. Vetëm dy javë më vonë, Johnson humbi aq thellë në Bruksel, sa BE nuk ka më nevojë të shqetësohet për kufirin irlandez dhe mund të ndërmarrë qëndrimet më të ashpra kur bisedimet tregtare të fillojnë, nëse fillojnë.
Askush nuk duhet të çuditet. Një pjesë thelbësore e karakterit shkatërrimtar është që shkatërrimtarët nuk mësojnë nga gabimet e tyre ose nuk e kuptojnë se po i bëjnë ato.
Qoftë në çështje të vogla qoftë në ato të mëdha, të paaftit e politikës i ngjasojnë të paaftëve të ushtrisë. Dixon pati shkruar se gjeneralët që dashurojnë me kokëfortësi dhe mbrojnë me forcë rregullin e rreptë ushtarak janë të prirur të çojnë regjimentet në katastrofë.
Ngjasimi mes gjeneralëve shkatërrimtarë dhe politikanëve të tillë është i suksesshëm, por edhe shumë drejtues biznesi ndajnë të njëjtata karakteristika me to. Ka kohë që ka një interes të shtuar mbi mënyrën si burrat dhe gratë e paqëndrueshëm janë të mbipërfaqësuar në krye të bizneseve. Në kongresin e Shoqërisë Psikologjike Australiane u shfaq një studim mbi 261 profesionistë të lartë në SHBA, i cili zbuloi se 21% kishin nivele të larta të tipareve psikopatike, krahasuar me 1 në 100 që është që është raporti i tyre në të gjithë popullatën. Biznesmenët e lartëpërmendur e trajtonin biznesin e tyre si “një lojë për të arritur atje ku dëshironin dhe si një mënyrë për të dominuar të tjerët”. Ndërkohë, ekonomistët kanë treguar me prova se si menaxherët me vetëbesim të tepruar nuk dinë të përllogarisin rreziqet. Kjo provoi edhe një herë suksesin e paqendrushmërisë, si e Johnsonit.
Johnson mbetet në një flluskë që ushqen deluzionet e tij narciste, edhe për të tjera arsye. Mediat pranë partisë (së tij) konsevatore i “bëjnë fresk” sepse ai është një nga të vetët. Partia e tij i bindet sepse Johnson i heq anëtarësimin nga grupi parlamentar dhe Cummings urdhëron oficerë të armatosur policie që të marrin personat e dyshuar si të pabesueshëm me justifikime nga më të çuditshmet.
Karriera e Johnson, gjatë së cilës dështimet e kanë çuar më lart që ditën që ai la Eton[ii], tregon se vetëbesimi i tepruar ka lidhje me klasën (shoqërore). Në politikë dhe në shumë institucione të tjera britanike, mediokrët marrin punë për të cilat nuk janë aspak të kualifikuar, sepse familjet e pasura dhe një arsim privat ia kanë bërë atyre të mundur këtë.
Në të gjitha sferat, burrat dhe gratë e kësaj kategorie janë të bashkuar nga një padepërtushmëri dhe pandjeshmëri ndaj vuajtjeve që ata shkaktojnë. Edhe sipas supozimeve më optimiste, Mbretëria e Bashkuar në një Evropë në Ndryshim zbuloi se “marrëveshja” e Johnson do të marrë 16 miliardë paund nga shërbimet publike, mjaftueshëm të rrezikuara nga mosfinancimi, dhe nga të gjithë ata që varen prej tyre. (Pesimistët besojnë se do ikin 49£.) Mungesa e interesimit të kryeministrit për ta është tipike. Dixon përshkroi rrethimin e Kutit në vitin 1915, në Irakun e sotshëm: një operacion që rezultoi në 30,000 viktima të ushtrisë britanike dhe indiane[iii]. Kjo qasje u dallua madje edhe në Luftën e Parë Botërore, në mungesën e një qëllimi ushtarak të mirëfilltë.
Kur gjenerali madhor Charles Townshend u dorëzua, ai u trajtua me mirësjellje maksimale nga kundërshtarët e tij turq. Por ata dërguan 13,000 prej ushtarëve të tij të mbijetuar në një marshim vdekje nëpër stepa, ku humbën jetën 7,000 prej tyre. Shqetësimi i Townshend “për mirëqenien e qenit të tij është provuar të ketë qenë më i rëndësishëm se sa ai për mirëqenien e trupave të tij”.
Burrat shkatërrimtarë mund të përcaktojnë fatin e ushtrive, bizneseve dhe shteteve. Pa përjashtim, shkattërrimet që ato sjellin janë gjithmonë problemi i dikujt tjetër. Kjo është pikë për Johnsonin, se me shumë mundësi historia do të thotë: “Ai dhe ai vetëm bëri ndryshimin”. /The Guardian/
[i] Politikan britanik, i emëruar në detyrën e Këshilltarit special për qeverinë. Mbahet mend si drejtuesi i fushatës “Vote Leave” (voto daljen), para referendumit në të cilin britanikët votuan largimin nga BE, Brexit.
[ii] Shkollë e famshme me konvikt për djem të moshës 13-18 vjeç, që mban emrin e provincës ku është ndërtuar. Eton u hap në vitin 1440 dhe shumë prej të diplomuarve të saj, të cilët janë kryesisht nga familjet fisnike, kanë qenë pjesë e elitës britanike dhe jo vetëm duke e kthyer atë në një nga shkollat më të famshme në botë.
[iii] Ushtira e marrë nga India e kolonizuar
Discussion about this post